“Banorët ishin të frikësuar, ne nuk jemi mësuar me tërmete,” tha kryebashkiaku i qytetit kryesor bregdetar të Qipros, Pegeia pas tërmetit të mëngjesit të sotëm.
Tërmeti i fortë dhe relativisht i cekët goditi rreth orës 03.00 të mëngjesit brigjet perëndimore të ishullit mesdhetar.
Epiqendra e tij ishte rreth 50 km në perëndim të qytetit Polis por nuk pati raportime për të lënduar apo dëme materiale.
Dridhjet u ndjenë në të gjithë Qipron dhe në rajon, sipas raportimeve nga Turqia, Izraeli e Libani, tha shërbimi gjeologjik i SHBA.
Ndërtesat u tundën dhe në kryeqytetin qipriot Nicosia, 130 kilometra larg dhe disa njerëz dolën nëpër rrugë.
“Ishte shumë e frikshme. E gjithë ndërtesa po dridhej, dukej sikur nuk mbaronte kurrë,” tha një rezident i Nicosia për rrjetin AFP.
Policia e Qipros tha se nuk kishte raportime për lëndime apo dëme serioze në ndërtesa, por njerëzit ishin zgjuar nga gjumi në të gjithë ishullin.
“Ne ishim në krevat dhe u zgjuam – tërmeti vazhdoi shumë gjatë,” tha Carol Bailey, mësuese frëngjishteje, rezidente e qytetit Limassol.
Ajo shtonte se miq të saj në qytete të tjera kishin ndjerë dridhjet e ndërtesave dhe lëkundjet e abazhurëve./AFP/
Top Channel