Basha përjashton nga PD Berishën dhe mbështetësit, Vokshi: S’e bën dot një grup uzurpatorësh

11/01/2022 10:10

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi e cila ka zgjedhur të mbështesë Sali Berishën ka reaguar pas vendimit të kryetarit PD-së, Lulzim Basha për të përjashtuar ish-kryeministrin dhe mbështetësit e tij.

“Nga PD nuk më përjashtojnë dot ata që nuk kanë lidhje me PD-në.  Nga PD nuk më përjashton dot një grup uzurpatorësh që PD-në e kanë mjet për pasurimin personal, ndaj e duan me cdo kusht. Ata nuk kanë lidhje as me demokratët as me demokracinë. I vetmi organ legjitim në Partinë Demokratike, mandatuar nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetor 2022, është Komisioni i Rithemelimit të PD në të cilin unë jam anëtare. Lulzim Basha është shkarkuar me 4446 vota të delegatëve legjitim të Kuvendit Kombëtar të PD, vendim ky i ratifikuar në mënyrë unanime nga rreth 44 mijë anëtarë të PD në referendumin e dt 18 dhjetor 2022. Në demokraci sovrani vendos!”, shkruan Vokshi.

Këtë të martë, Sali Berisha u përjashtuar përgjithmonë nga Partia Demokratike bashkë me mbështetësit e tij.

Në një mbledhje maratonë të kryesisë, që nisi në orën 19:00 të së hënës dhe përfundoi në orën 3:30 të mëngjesit, u mor vendimi për përjashtimin e anëtarëve të të Komisionit të Rithemelimit të PD-së Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë, janë pezulluar deputetët: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Zhvillimet brenda partisë vijnë tre ditë pas protestës të thirrur nga Berisha.

Demokratët u mblodhën para selisë blu, në një tubim që përfundoi në përplasje fizike. Shtëpia e demokratëve u dëmtua pas përpjekjeve të protestuesve për të hapur dyert e dritaret e për liruar, siç thonë ata, nga kthetrat e Bashës, selinë që i përket të gjithë demokratëve.

Muajt e fundit, Partia Demokratike është përballur me një betejë të brendshme politike mes kryedemokratit Lulzim basha dhe mbështetësve të tij e nga ana tjetër Sali Berishës dhe mbështetësve të tij.

Berisha thirri Kuvendin Kombëtar të partisë në 8 dhjetor dhe më pas në vend u mbajt referendumi, ku demokratët votuan për shkarkimin e Bashës dhe u ngrit Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së. Të gjitha këto lëvizje të Berishës, janë cilësuar jo legjitime nga PD-ja zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA