Presidenti i Kazakistanit Kasim-Jomart Tokayev ka thënë sot se dhuna vrasëse e javës që shkoi në vend, ishte një tentativë grusht shteti.
Ai u tha liderëve të aleancës së vendeve ish-sovjetike se veprimet ishin kooordinuar nga “një qendër e vetme”, por nuk emëroi ata që mendonte si përgjegjës.
Presidenti rus Vladimir Putin tha dhe ai se Kazakistani ishte bërë objektiv i terrorizmit ndërkombëtar por nuk ofroi prova për pretendimin.
Putin shtoi se Rusia nuk do të lejojë revolucione në rajonin pranë saj.
Trupa ushtarake nga Rusia dhe disa vende të tjera erdhën dhe janë ende në Kazakistan për të rivendosur rendin.
Demonstratat e nxitura nga heqja e tavanit kufizues të çmimeve të karburantit u kthyen në trazirat më të rënda në vend.
Më shumë se 100 njerëz raportohet se janë vrarë, duke përfshirë dhe 16 anëtarë të forcave të sigurisë, thanë autoritetet.
Protestat e nisura me 2 janar u zgjeruan duke reflektuar pakënaqësinë e gjerë me qeverinë e presidentit Nursultan Nazarbayev, i cili ka udhëhequr Kazakistanin për tre dekada dhe ruan ende influencë të madhe.
Gjendja e emergjencës dhe shtetrrethimi mbeten në fuqi, ndërsa rreth 8,000 njerëz janë arrestuar në të gjithë vendin, sipas ministrisë së brendshme.
Kazakistani kreu sot ditën e zisë në kujtim të të vrarëve në protesta.
“Militantë të armatosur po prisnin në periferi të protestave. Qëllimi tyre kryesor është i qartë: Të prishnin rendin kushtetues, të shkatërronin institucionet qeveritare dhe të merrnin pushtetin”.
Ky ishte një “grusht shteti”, tha në fjalën e tij Tokayev.
Ai shtoi se protestuesit kishin shënjestruar qytetin më të madh të vendit Almaty, me qëllim marrjen e rajoneve jugore dhe kryeqytetin Nur-Sultan.
Ai shtoi se ndjekja e “terroristëve” vazhdon dhe se Kazakistani do të japë së shpejti prova për atë që ndodhi, për komunitetin ndërkombëtar.
Top Channel