388.5 milionë euro është dëmi financiar i buxhetit të shtetit i shkaktuar nga vendimet e Arbitrazhit.
Shifra është publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të kryer, sipas të cilit deri më tani janë dhënë vendime për 9 çështje e 5 të tjera janë në gjykim.
Sipas KLSH Avokatura e Shtetit nuk ka informacione të plot apër njohjen e këtyre vendimeve dhe pagesat që duhen ekzekutuar dhe kërkon krijimin e menjëhershëm të një database me të dhënat e këtyre çështjeve.
“Është një shifër e cila shumë e lartë. Nuk ka pas raste Shqipëria me një shifër kaq të lartë. Duhet kujdes kur prishen kontrata, kur hiqen licenca duhet bërë një analizë e mirëfilltë para se të shkojë në veprime të tilla. Është detyrë e qeverisë shqiptare që pas këtij raporti të bëjë një analizë të gjyqeve të humbura, se si prishen këto kontrata si dhe me përgjegjësit. Veç prishjes së kontratave po paguajnë shumë para edhe për studio ligjore që rëndojnë faturën.
Ish-avokatja e Shtetit Ledina Mandia shpjegon se më shqetësuese janë çështjet e investitorëve të huaj për shkak të specifikave që mbartin. Ajo shton se nevojitet analizë e detajuar që në nënshkrimin e kontratave për të shmangur kostot e larta të vendimeve të arbitrazhit.
“Çështjet e investimeve të huaja janë tepër problematike sepse janë mbi bazën e një konvente për mbrojtjen e investitorëve të huaj ku Shqipëria është palë dhe për më tepër bazohen edhe në marrëveshjet bilaterale. Në të tilla kushte ka dhe një karakter diplomatik ndaj sjelljeve korrekte ndaj sjelljes së investitorëve të huaj.” Ledina Mandia, ish-Avokate e Shtetit
Kostot e vendimeve pritet të rëndojnë më tej buxhetin e shtetit në rast se ato që janë në proces përfundojnë në disfavor të shtetit shqiptar. Pak muaj më parë Avokatura e Shteti çeli një tjetër thirrje për gjetjen e një studio ligjore që duket se do të mbrojë qeverinë në një çështje të re arbitrazhi.
Top Channel