Gjykata e Tiranës caktoi masën “detyrim paraqitje për eksperten e IT-së tek Tatimet, Eni Qirjakon dhe “arrest shtëpie” për tre të arrestuarit e tjerë, ekspertin tjetër të IT tek Tatimet, Andi Agaraj dhe dy përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
Dy prej tyre akuzohen se shpërdoruan detyrën dhe dy të tjerët se ushtruan korrupsion duke blerë të dhënat personale të 650 mijë shtetasve shqiptarë mes tyre edhe listat e pagave që në mbyllje të dhjetorit u bënë virale.
Specialistja e IT pranë Akshi, Eni Qirjako në gjashtë episode ia ka kaluar përmes e-mailit zyrtar pagat e shqiptarëve Agarait, ky i fundit ia shiti për 20 mijë lekë Sotës dhe Ikonomi, ndërsa zinxhiri nuk mbyllet këtu.
Sa i takon skandalit të dytë të publikimit të targave, zonja Imeraj përmendi se është sekuestruar edhe një server tjetër.
Mbasi ishte punësuar në korrik të vitit 2020, dy muaj më vonë Qirjako rrëfen se deri në prill ia kaloi pagat kolegut Agaraj. Kur skandali u bë publik, ajo kuptoi që data dhe ora dhe data e krijimit të File në Excel përkonte me të njëjtën kohë që këto të dhëna i kishte përcjellë në ëetransfer.
Për këto fakte, ajo ka vënë menjëherë në dijeni eprorin e saj Ervin Muça, Drejtor i IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, i cili po procedohet në gjendje të lirë.
Bazuar në hetime, njëri prej të akuzuarve, Endi Ikonomi është ish drejtor i një kompanie pronë e miliarderit rus Oleg Boiko.
Emri i rusit përmendet në raportin voluminoz të hetimit amerikan për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Sipas raportit, emri i rusit lidhet me akuza të bëra ndaj tij për ndërhyrje në zgjedhjet e Moldavisë.
Endri Ikonomi deri në vjeshtën e vitit që kaloi ishte administrator i kompanisë Credit 2 ALL. Kjo kompani sipas regjistrimit është krijuar në vitin 2017 nga një kompani qipriote e cila një vit më vonë e shiti kompaninë për llogari të shtetasit, Oleg Boiko, rus me pasaportë italiane që jeton në Zvicër.
Kompania shqiptare është blerë me 100 euro. Po kush është Oleg Boiko, ai është pronar i një grupi financiar, që merret kryesisht me sistemet e informacionit, jep konsulenca.
Oleg Boiko është miliarder dhe zotëron një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë. Përveç bizneseve të tij të shumta, ai përmendet në këtë raport të kongresit amerikan për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Ja çfarë shkruhet në raportin amerikan: Boiko ka lidhje me qeverinë ruse, shërbimin inteligjent rus dhe shërbimet e sigurisë përfshi krimin e organizuar. Mediat moldave kanë raportuar se Boiko ishte i përfshirë edhe në ndërhyrjet Kremlinit në zgjedhje të vendeve të huaja duke përdorur në këto operacione influencën e tij.
Top Channel pyeti zyrtarisht Prokurorinë e Tiranës që po heton dhe që kreu edhe katër arrestimet, por për shkak të hetimit nuk u bënë komente.
Megjithatë kërkon përgjigje pyetja se përse një miliarder rus blen në Shqipëri një kompani e cila investon për të blerë informacione sekrete për të gjithë shtetasit shqiptarë siç është edhe lista e pagave të 690 mijë shqiptarëve.
Top Channel