NATO nuk do të krijojë aleatë të klasit të dytë për të qetësuar Rusinë

09/01/2022 08:38

NATO deklaron se është gati për bisedime mbi kontrollin reciprok të armëve me Moskën, duke shtuar se aleanca është e bashkuar kundër rrezikut “real” të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në një video-konferencë për të diskutuar praninë ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës. Moska ka dislokuar ndërkohë  afërsisht 100,000 trupa në kufijtë e Ukrainës dhe Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg tha se përqendrimi i trupave ruse në kufijtë e Ukrainës po vazhdon.

“Ne e mbështesim Ukrainën,” tha Stoltenberg, duke shtuar se NATO nuk mund të bëjë kompromis mbi sovranitetin e kombeve dhe do t’i lejojë çdo kombi të zgjedhë rrugën e tij drejt anëtarësimit.

“Ne jemi gati të angazhohemi për kontrollin e armëve konvencionale dhe bërthamore me Rusinë, por kjo duhet të jetë reciproke”, tha Stoltenberg. “Ne nuk mund të përfundojmë në një situatë ku të kemi anëtarë të klasit të dytë të NATO-s dhe ku NATO-ja si aleancë nuk i lejohet t’i mbrojë ata.

“Rreziku i konfliktit është real. Veprimet agresive të Rusisë minojnë seriozisht rendin e sigurisë në Evropë,” shtoi Stoltenberg.

Pretendimet e Rusisë

Në dhjetor Rusia i paraqiti SHBA-së një listë të kombinuar me ankesa dhe kërkesa, që përfshinte fundin e dislokimeve të NATO-s në krahun lindor të aleancës si dhe  moszgjerimin e mëtejshëm të NATO-s.

NATO-ja i ka refuzuar formalisht të gjitha këto kërkesa, duke thënë se Rusia nuk ka të drejtën e vetos për vendet që anëtarësohen në aleancë ose nuk mund të diktojë qëndrimet e saj.

Kohët e fundit qeveritë e Suedisë dhe të Finlandës, shtete që nuk janë anëtare të NATO-s, thanë se vendimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n e shohin si të drejtën e tyre për vetëvendosje pas dislokimit të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.

Zyrtarë rusë dhe përfaqësues të NATO-s do të takohen të mërkurën (12.01) në Gjenevë në kuadër të Këshillit NATO-Rusi. Ky është takimi i parë që prej vitit 2019./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA