Ish-lideri demokrat Sali Berisha dhe kryetari Lulzim Basha, në konferencën për mediet fajësuan kryeministrin Edi Rama për kapjen e shtetit.
Pas protestës, që mbajti me demokratët në selinë e PD-së, Berisha tha se Basha, i ndihmuar nga Rama, ka dhunuar protestuesit, me bandat kriminale që ka nxjerrë në rrugë. Edhe Basha, nga ana tjetër, akuzoi kryeministrin se ka kapur policinë dhe efektivët vepruan sot në protestë sipas urdhrave të tij.
Ndërkohë, Rama ka reaguar përmes një postimi në “Twitter”, ku i cilëson dy demokratët, kufoma politike që luajnë kështjellash në mes të Tiranës.
“Kur shoh këto dy kufoma politike që luajnë kështjellash në mes të Tiranës dhe fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im, më vjen t’u lëshoj demokratëve një kushtrim të megjithëzemërt: Ejani t’i japim ç’mundemi Shqipërisë, të bashkuar si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz!”
Ironinë e tij, kryeministri e ka vazhduar e fjalët e personazhit tragjikomik të Xhokerit:
“Lërini në fatet e parashkruara humbësin kronik të selisë blu dhe personazhin pa seli të listës së zezë, të cilët të kujtojnë të dy fjalët e Xhokerit, “Skam asgjë për të humbur. Asgjë s’më dhemb dot më. Tashmë jeta ime është thjesht një komedi”! Sa u shkon ai llafi… Varu teneqet!”
Top Channel