Ish-kryeministri Sali Berisha në një komunikim për mediat pas protestës së dhunshme të ndodhur në selinë blu tha se nuk është fituar pak nga kjo protestë.
“Është bunkier personal i Lulzim Bashës, protestuesit paqësorë erdhën me qëllim për të çliruar ndërtesën e tyre, jo për tu përballur me të gjithë forcën dhe egërsinë e narkoqeverisë se ata besojnë se policia nuk mund të ndërhynte kurrë në territorin e ndërtesës së një partie politike, aty siç ishit ju dëshmitarë nuk ndodhi asgjë kërcënuese për asnjë njeri dhe fakti që nuk ka një njeri të gërvishtur qoftë në seli qoftë jashtë saj dëshmon karakterin paqësor të kësaj proteste. Është fituar jo pak them unë, do t’i marr hua shprehjen një kolegu tuaj,’ Lulzim Basha u muros në muret e kryeministrisë’ dhe kjo është shumë, motivim edhe më i madh për popullin opozitar”, tha Berisha.
Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Godina e selisë së Partisë Demokratike, u sulmua me forcë nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët iu përgjigjen thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.
Vetëm ndërhyrja e policisë arriti të qetësonte situatën e rëndë të krijuar, ndërsa u hodh gaz lotsjellës dhe ujë me autobote.
25 protestues dhe 8 persona që ndodheshin brenda selisë së Partisë Demokratike janë shoqëruar në polici për veprime të dhunshme.
Policia njofton se po vazhdon punën për identifikimin e shtetasve që dhunuan dhe shkatërruan pronën publike, gjatë protestës që mbajtën këtë të shtunë mbështetësit e Sali Berishës në selinë blu, ndërsa hetimet vijojnë me në krye kryeprokuroren Elizabeta Imeraj.
Top Channel