Ish-kreu i kundër-inteligjencës dhe anti-terrorit të Kazakistanit është arrestuar sot me akuza tentativë te përmbysjes së pushtetit, pas protestave të dhunshme për të cilat presidenti fajësonte “terroristët e mbështetur nga jashtë”.
Arrestimi i Karim Masimov u njoftua sot nga Komiteti Kombëtar i Sigurisë, pikërisht organi që ai drejtonte deri një javë më parë para se të shkarkohej nga presidenti Tokayev.
Autoritetet kanë thënë se forcat e sigurisë kanë vrarë 26 demonstrues në protestat e kësaj jave, ku kanë humbur jetën gjithashtu 18 oficerë policie. Ministria e brendshme thotë se më shumë se 4000 persona janë arrestuar.
Trazirat në vend nisën prej ngrites së cmimit të gazit të lëngshëm që përdoret gjerësisht si karburant për automjetet në vend.
Kazakistani është një vend eksportues madhor energjitik.
Me kërkesën e Tokayev, Organizata e Sigurisë Kolektive që drejtohet nga Rusia ka dërguar rreth 3000 trupa në Kazakstan, kryesisht ruse në rol paqeruajtësish, sipas organizatës.
Dje Tokayev tha se kishte autorizuar forcat e sigurisë të qëllojnë për të vrarë ata që marrin pjesë në protesta.
Policia shpërndau një protestë dhe arrestoi disa persona në qytetin Aktau, ndërsa të shtëna armësh dëgjoheshin në qytetin Kyzylorda, sipas agjencisë ruse Sputnik.
Megjithse protestat nisën prej dyfishimit të çmimit të gazit, përhapja e tyre e gjerë dhe dhuna reflektuan pakënaqësi të gjerë në ish-republikën sovjetike që drejtohet nga e njëjta parti prej më shumë se 30 vjetësh.
Shumë prej demonstruesve thërrisnin në sloganin “Të largohet plaku,” duke iu referuar Nursultan Nazarbayev, i cili ka qenë president që prej pavarësisë së Kazakistanit deri në dorëheqjen e tij në 2019 kur la Tokayev si pasues.
Nazarbayev, i cili ka marrë titullin “ebasi,” ose ndryshe lider kombi, ruante përsëri fuqi si kryetar i Komitetit Kombëtar të Sigurisë, deri në shkarkimin kësaj jave, në dukje për të qetësuar protestuesit.
Top Channel