Tensionet në Ukrainë e kanë spostuar vëmendjen në përballjen e dy fuqive të mëdha: Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Por BE-ja nuk dëshiron të ndihet e mënjanuar në një konflikt që prek dhe atë vetë. Komisioni Europian dhe Franca shprehën nevojën e përfshirjes europiane, në kohën kur Moska dhe Perëndimi vazhdojnë të përballen, për momentin vetëm në rrafshin diplomatik, teksa rreziku i një përshkallëzimi të konfliktit është i madh.
“Një gjë është e qartë: S’ka zgjidhje pa Evropën. Cilado që të jetë zgjidhja, Evropa duhet të përfshihet”, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lyen. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë e kanë kërcënuar Rusinë me pasoja të rënda nëse e pushton Ukrainën.
Mijëra trupa ruse vazhdojnë të mbeten të grumbulluara në kufi. Moska i mëshon idesë së duhet të marrë garanci se nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm të NATO-s nga lindja, lëvizje kjo të cilën e sheh si rrezik për veten. Von der Leyen kujtoi se Bashkimi Europian “është shumë prezent” në Ukrainë, përfshirë edhe përmes ndihmës miliardëshe që i jep Kievit.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron i mirëpriti bisedimet direkte SHBA-Rusi, që do të nisin javën e ardhshme, por tha se “arkitekturën e sigurisë evropiane”, na “takon ne që ta ndërtojmë”.
Top Channel