Kryeministri Edi Rama ndodhej këtë të enjte në pediatrinë e re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” , që ka hapur sot dyert për fëmijët që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor.
Kryeministri tha se QSUT do të kthehet në kompleksin më të madh dhe modern në rajon, duke shtuar se brenda këtij mandati do përmbyllet çdo pjesë e spitalit.
Më tej, Kryeministri shtoi se dikur ilaçet nëpër spitale porositeshin me mik dhe parti, ndërsa balanca e furnizimit ishte jashtë kontrollit.
“Besoj se kushtet fizike të çfarëdolloj infrastrukture kanë një rol të jashtëzakonshëm, por edhe në marrëdhënien mes pacientëve, familjarëve dhe personelit shëndetësor. Kjo marrëdhënie ka qenë e acaruar dikur dhe ishin kushtet e punës që e bënin kështu. Personeli mjekësor dhe gjithë pjesa tjetër ndërvepronin dhe komunikonin. Ishte e paimagjinueshme çfarë ndodhte këtu dhe sot jemi absolutisht në një fazë tjetër. Jo shumë vite më parë kishim stoqe ilaçesh që nuk përdoreshin, dhe kishim mangësi dramatike në ilaçe të nevojshme. E gjitha lidhet me porosi klienteliste, sipas distributorëve, që kishin lidhje me ministrinë e Shëndetësisë dhe për mik, për parti, për ryshfet, balanca e furnizimit ishte jashtë kontrollit. Mua më vjen mirë që sipas parashikimeve tona, brenda këtij mandati përmbyllim çdo pjesë të QSUT-së që ka nevojë të hyjë në këtë standard. QSUT kthehet në kompleksin më të madh dhe më modern të rajonit, jo të Shqipërisë”, tha Rama.
Top Channel