Për të tretën ditë rrjesht në të gjitha qytetet greke, mijëra qytetarë qëndrojnë në radhë prej orëve të para të mëngjesit pranë pikave ku kryhen testet e shpejta falas, në një prej momenteve kulmore të përhapjes së madhe të variantit Omicron të koronavirusit.
Autoritetet raportuan një rekord prej 50,126 infeksionesh me Covid-19 në 24 orët e fundit, i cili ka thyer atë të mëparshmin prej 40,560 rasteve të regjistruara më 31 dhjetor.
Vetëm në periferinë e Athinës janë regjistruar mbi 20,000 infeksione dhe rreth 5,400 në atë të Selanikut. Gjithashtu numri i të intubuarve ka shkuar në 619, ndërsa me 61 humbjet e jetës gjatë ditës së sotme, numri i viktimave prej fillimit të pandemisë ka shkuar në total në 21,053. Tre javë më parë, më 14 dhjetor, indeksi i pozitivitetit ishte 1%, ku në 100 teste, të shpejta apo molekulare PCR, një persona rezultoi pozitiv. Një javë më parë, indeksi i pozitivitetit shkoi ne 8%, ndërsa në 24 orët e fundit ka arritur në gati 25%.
Gjithashtu numri i lartë i infektimeve, prej të cilave 70% me variantin Omicron dhe 30% me Delta, ka rritur numrin e shtrimeve në spitale. Por me gjithë situatën e rënduar epidemiologjike, qindra mijëra nxënës dhe mësues do të kthehen në klasa në 10 janar kur do të hapen shkollat, ndërsa do të duhet të kryejnë tre herë në javë teste.
Në se një nxënës do të dalë pozitiv në një klasë, atëherë gjithë klasa do të kryejë teste për pesë ditë rrjesht, sipas protokollit të ri që ka aprovuar mbrëmjen e së martës komisioni i pandemisë.
Top Channel