Borrell paralajmëron Rusinë për pasoja nëse provokon Ukrainën

05/01/2022 09:21

Çfarëdo provokimi apo agresioni kundër Ukrainës do të kishte pasoja serioze, ka thënë shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Ai e ka bërë këtë mesazh për Moskën para se të zhvillojë takime me zyrtarë të Ukrainës më 5 janar.

“Bashkimi Evropian është partneri më i afërt i Ukrainës dhe ne e mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, ka thënë diplomati i BE-së në një intervistë për agjencinë polake të lajmeve, PAP.

Përgjatë vizitës së tij, Borrell do të takohet me zyrtarë të Ukrainës, përfshirë ministrin e Jashtëm, Dmyto Kuleba në Kiev.

Vizita e Borrellit është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ulur tensionet në kufirin ukrainas.

Për disa javë, Perëndimi është shqetësuar për raportimet se Rusia ka angazhuar dhjetëra mijëra ushtarë në zonat jo fort larg Ukrainës, duke nxitur frikë për pushtim rus.

Rusia hedh poshtë këto supozime dhe akuzon Ukrainën se ka dërguar më shumë ushtarë në zonat lindore, të cilat kontrollohen nga separatistët pro-rusë.

Këto zhvillime kujtojnë ngjarjet e vitit 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të mbahen javën tjetër në Gjenevë.

Rusia dhe NATO-ja po ashtu kanë planifikuar takime të ndara më 12 janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA