Shtetet e Bashkuara shënojnë një rekord të ri, raportojnë më shumë se 1 milion raste të reja me Covid-19 në ditë

04/01/2022 18:20

Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord të ri botëror pasi raportuan më shumë se një milion raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit.

Sipas Universitetit Johns Hopkins në vend janë shënuar 1.080.211 raste të reja. Megjithatë, duhet pasur parasysh se në raportimin e të hënës, ka një rritje të ndjeshme të rasteve, pasi shifrat janë përmbledhur në një, për arsye të pushimit tre ditor për shkak të festës së Vitit të Ri.

Por studiuesit thonë se pavarësisht kësaj, rastet e reja të raportuara dje janë dy herë më shumë se ato të raportuara të hënën e kaluar, statistika e të cilës vinte po pas një pushimi tre ditor për shkak të festës së Krishtlindjeve.

Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor për shëndetësinë i Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se shtimi i rasteve me koronavirus në SHBA po përshkruan një kurbë “pothuajse vertikale”.

Omicron është tashmë varianti mbizotërues në vend. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CIPD) deri më 25 dhjetor, ky variant u zbulua në rreth 59% të rasteve.

Dr.Fauci tha se vala e infektimeve do të arrijë kulmin brenda disa javëve dhe më pas do të bie, pikërisht ashtu siç ndodhi në Afrikën e Jugut.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA