Kryeredaktori i lajmeve në Top Channel, Altin Kreka tregoi sonte në Open disa nga sfidat e vitit që lamë pas.
Kryeredaktori Kreka bëri një kthim pas në kohë, pikërisht në 26 nëntor të 2019-ës, momentin kur tërmeti shkatërrimtar goditi vendin dhe mori dhjetëra jetë njerëzish.
“Ka filluar viti që në 26 nëntor 2019 dhe nuk ka mbaruar akoma, jemi në alert. Që nga ai moment Shqipëria ka pasur aq shumë ngjarje dhe ka qenë aq shumë shumë e ngjeshur sa e kemi humbur sensin e kohës. Ju e mbani mend tërmetin e tmerrshëm, ne kemi qenë 26 ditë në transmetim pa ndërprerje, 18 orë në ditë. Karantina, pandemia … le të themi që në 2021-in sikur u mësuam me të keqen, me sfidat që na rezervoi pandemia dhe arritëm t’ia dalim, unë mund ta shënoj si një periudhë suksesi, po flas nga ana profesionale, si mbulimi i zgjedhjeve, fushata, kemi bërë një mbulim model, me shikueshmëri shumë të lartë dhe kemi qenë në çdo cep dhe kjo jo vetëm falë aftësisë sonë por edhe falë mbështetjes shumë të madhe që të jep ky televizion . Unë kam 15 vjet në këtë televizion dhe nuk do ta ndërroja me asgjë tjetër dhe e di mundësinë, përpjekjen dhe energjinë për të ruajtur standardin, është një standard që kanë vendos në këtë televizion prej vite e vite kolegët tanë dhe ne e kemi detyrë që ta ruajmë këtë standard dhe ta çojmë akoma më tej”, tha ai.
Ndërsa zhvillimet në arenën politike gjatë vitit 2021, sipas Krekës, ishin “një teatër normal politik”.
“Për tu ndalur te 2021 është një vit pak më i lehtë se të tjerët, unë e shikoj pak në mënyrë më pozitive se të tjerët, edhe konfliktin politik, edhe përplasjen që po ndodh brenda PD , edhe rezultatin e zgjedhjeve, sepse duhet risjellë këtu një periudhë kur konflikti politik ishte i llahtarshëm 14 shtatori i 1998, 21 janari i 2011. Viti 2021 nga ana politike është shumë më i lehtë, është një teatër politik normal, që kështu duhet të jetë gjithmonë”, u shpreh kryeredaktori Altin Kreka.
Top Channel