Disa deputetë të parlamentit francez kanë raportuar se kanë marrë kërcënime me vdekje teksa në vend debatohet ndalimi i të pavaksinuarve nga jeta publike e vendit.
Qeveria kërkon të kalojë ligjin që i kërkon njerëzve të tregojnë dokumentin e vaksinimit për të hyrë në transport dhe ambjente publike, por masa ka zemëruar kundërshtarët e vaksinave.
Prej muajsh Franca u kërkon njerëzve të tregojnë ose provën e vaksinimit ose testin negativ Covid për të hyrë në ambjentet publike.
Por qeveria ka vendosur papritur të heqë opsionin e testimit për sëmundjen, sipas saj prej shtimit të rasteve me variante të koronavirusit.
Qeveria franceze thotë se 91% përqind e popullatës në vend janë të vaksinuar.
Dje deputetja Agnès Firmin Le Bodo, e partisë së qendrës së djathtë ‘Agir’ publikoi një email që kishte marrë me grafika kërcënimesh me jetë, për mbështetjen e saj ndaj programit të vaksinimit.
“Demokracia jonë është në rrezik,” shkruante Firmin Le Bodo, e cila është gjithashtu farmaciste dhe ka vaksinuar njerëz kundër Covid.
Javën e kaluar ministri i brendshëm Gérald Darmanin tha se policia do të forconte mbrojtjen për zyrtarët e zgjedhur para votës për pasaportën e vaksinimit.
Barbara Bessot Ballot e koalicionit në pushtet ‘En Marche!’ tha se deputetët kishin marrë kërcënime me vdekje për arsye të “sulmit të tyre ndaj demokracisë”.
Gjatë pandemisë shumë kritikë kanë akuzuar qeverinë e presidentit francez Emmanuel Macron për shkelje të lirive të njeriut me rregullat e ashpra të pandemisë.
Protesta të shumta janë zhvilluar në vend kundër kufizimeve dhe vaksinimit të detyruar.
Top Channel