Viti i ri hyri me flakë gjigante në qiellin e Kejp Taunit, në Afrikën e Jugut ku një zjarr masiv përfshiu ndërtesën e parlamentit vendas.
Zjarrfikësit e patën të vështirë betejën me flakë, të cilat nuk mundën t`i vinin nën kontroll përveç se pas disa orësh, ndërsa shtëllunga e tymit shihej disa kilometra larg.
Ministrja e Punës Publike dhe Infrastrukturës, Patricia De Lille, u tha gazetarëve se zjarri ka shkaktuar dëme në Dhomën e Parlamentit Kombëtar, por deri më tani nuk ka raporte për të lënduar.
Mësohet se zjarri ka nisur në një zyrë brenda ndërtesës, por shkaku i tij nuk dihet ende. Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pasi u mbajt funerali shtetëror për kryepeshkopin Desmond Tutu në katedralen e St George, fare pranë parlamentit.
Laureati i çmimit Nobel për paqen njihej në mbarë botën për aktivizimin kundër aparteidit dhe si një mbrojtës i fuqishëm i të drejtave të njeriut.
Zyrtarë vendas thonë se një pjesë e çatisë së parlamentit është shembur për shkak të flakëve, ndërsa sipas tyre alarmi nuk ka rënë në momentin e zjarrit, çka bëri që zjarrfikësit të mos njoftoheshin në kohë.
Top Channel