Në përmbushje të rregullave e ligjeve të moralit fetar, qeveritarët Talibanë në Afganistan raportoheshin sot se po demonstronin presionin duke u prerë kokën manekinëve që me pamjen e tyre “ofendojnë interpretimin rigoroz të fesë”.
Sipas mediave perëndimore pronarët e dyqaneve të veshjeve në provincën e Herat u urdhëruan të prisnin kokën e manekinëve pasi statujat mund të konsiderohen ‘idhuj’.
Adhurimi i ishujve konsiderohet si mëkat në fenë islame ku ndalohet adhurimi i çdo zoti përveç Allahut, shkruan tabloidi britanik Daily Mail.
Vendimi u publikua kësaj jave nga ministria vendase e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Vesit, që kujdeset për interpretimin korrekt të fesë islame.
Fillimisht ministria kishte urdhëruar heqjen e manekinëve por pas ankesave të dyqanxhinjve për prishje të biznesit, autoritetet u tërhoqën duke kërkuar vetëm heqjen e kokave të tyre.
Pas dëgjimit të ankesave, zyrtari i ministrisë Sheikh Aziz-u-Rahman toleroi manekinët e veshjeve në dyqane.
Disa zyrtarë të tjerë shkonin edhe më tej duke thënë se mund të tolerohet vetem mbulimi i fytyrave të kukullave.
Abdul Wadood Faiz Zada tha për të përditshmen italiane ‘Repubblica’: “Kokat e manekinëve mund të mbulohen, jo të prihen. Një manekin kushton rreth $100 apo $80 prandaj prishja e tyre do të ishte një humbje e konsiderueshme financiare”.
Dyqanxhiu Mohammad Yusuf raportohej se kishte komentuar: “Talibanët nuk kanë ndryshuar, ata nuk kanë marrë ende njohje ndërkombëtare, por nëse e marrin do të risjellin të tjera kufizime”.
Që prej rikthimit në pushtet në Afganistan në verë talibanët kanë rikthyer kufizimet e të drejtave megjithse pretendojnë se janë riformuar.
Gratë e vajzat janë ndaluar të lëvizin lirshëm në qytet dhe disa prej tyre janë shkarkuar nga vendet e punës.
Në të njëjtën kohë janë ndaluar muzika në automjete si dhe substancat intoksikuesse.
Ndërkohë vendi është në krizë ekonomike e humanitare dhe agjencitë e ndihmës thonë se njerëzit po marrin masa të dëshpëruara për të siguruar ushqim.
Top Channel