Shtohen kontrollet për festën e ndërrimit të viteve, policia: Mos ecni me shpejtësi! Monitoroheni me radarë dhe makina inteligjente

31/12/2021 17:26

Pavarësisht se mbrëmjen e sotme është hequr ora policore, Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme, duke patrulluar me mjete të paloguara, si dhe po monitorohet qarkullimi i automjeteve me makinën inteligjente, dronë, radarë,  kamera e aparatë fotografik, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Nisur nga fluksi shumë i lartë i automjeteve, jo vetëm në qendrat urbane por edhe në akset nacionale dhe rurale, Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të qëndrojnë në radhë në ato akse rrugore ku ka lëvizje të ngadaltë për shkak të fluksit të lartë të automjeteve.

Të mos shpejtojnë pasi të gjitha rrugët monitorohen me radarë dhe nga makina inteligjente dhe masa administrative do t’ju shkojë në banesë .

Të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse .

Të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Gjatë natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve festive, drejtuesit e automjeteve në rast se do konsumojnë alkool të mos drejtojnë mjetet e tyre, por të përdorin mjetet e transportit publik, pasi Policia e Shtetit do të shtojë monitorimet duke përdorur alkooltestuesit  në të gjitha rrugët e vendit.

Njëkohësisht Policia e Shtetit apelon për zbatim të masave anticovid, dhe për mospërdorim të fishekzjarrëve.

Policia e Shtetit uron gëzuar Vitin e Ri, mbarësi e shëndet, më shumë besim e bashkëpunim për një të ardhme më të sigurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA