Raport: Gjatë pandemisë, kishte rritje të islamofobisë ‘online’

31/12/2021 23:01

Në vitin 2020 është regjistruar një rritje e islamofobisë në internet pas vendosjes së karantinave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) në gjithë Evropën, tregoi një raport mbi islamofobinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Raporti Evropian i Islamofobisë 2020” u përgatit nga Enes Bayrakli, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Turko-Gjerman me qendër në Stamboll, dhe Farid Hafez, shkencëtar politik nga Iniciativa Ura e Universitetit Georgetown.

Raporti ka përfshirë kontribute nga 37 akademikë, ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile në mbulimin e 31 vendeve evropiane.

Sipas raportit, pandemia COVID-19, e cila preku rëndë Evropën në vitin 2020, pati efekte të ndryshme në islamofobinë.

“Në disa vende, me zhvendosjen e detyruar të jetës së përditshme në një sferë intime private, islamofobia fizike është ulur. Megjithatë, në të njëjtën kohë, islamofobia ka kaluar në sferën private dhe po përhapet veçanërisht në mediat sociale”, thuhet në raport.

“Shumica dërrmuese e shteteve evropiane nuk i regjistrojnë incidentet islamofobike si një kategori e veçantë e krimit të urrejtjes. Regjistrimi i krimeve anti-muslimane/islamofobike nga policia si një kategori e veçantë e krimit të urrejtjes është thelbësore për të zbuluar shtrirjen reale të këtij problemi dhe për të zhvilluar kundërstrategji për ta luftuar atë”, nënvizoi raporti.

Ky raport thotë gjithashtu se në BE, vetëm 12 për qind e muslimanëve që janë diskriminuar i raportojnë rastet e tyre tek autoritetet.

Raporti po ashtu ndan statistikat për vitet e mëparshme si dhe për vitin 2020. Përkatësisht, situata në vendet evropiane është si më poshtë:

– Austria dhe Republika Çeke

Gjithsej 812 krime të urrejtjes kundër muslimanëve janë dokumentuar në Austri në vitin 2020. Kjo shifër është më shumë se dyfishi i numrit të vitit 2019, kur kishte 385 raste.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, numri i krimeve të urrejtjes në internet është rritur. Në krahasim, 3.215 raste u dokumentuan në vitin 2020, kurse 1.822 mesazhe digjitale urrejtjeje kishte në vitin 2019. Nga këto raste, 144 kishin përmbajtje anti-muslimane.

Gjithsej shtatë incidente në lidhje me paragjykimet anti-muslimane janë regjistruar nga një organizatë e të drejtave të njeriut në Republikën Çeke.

– Gjermania

Gjithsej 901 krime islamofobike janë regjistruar nga Zyra Federale e Policisë Kriminale në Gjermani në vitin 2020.

Në vend janë mbajtur 18 demonstrata anti-islame, 16 prej të cilave janë organizuar nga lëvizja raciste PEGIDA në të njëjtin vit.

Në vitin 2019, në vend ishin regjistruar gjithsej 31.472 krime ekstremiste me sfond politik. Krahasuar me vitin pararendës, këto krime janë rritur me 13,8 për qind. Në total, 21.290 prej këtyre krimeve janë kryer nga ekstremistët e djathtë. Krimet e dhunshme ekstremiste janë ulur me 13,7 për qind në 925 në vitin 2019.

Nga 8.585 krime të urrejtjes në Gjermani, 2.032 janë regjistruar si krime antisemite dhe 950 si krime islamofobike.

Në vitin 2019 janë zbuluar 3.703 krime në kategorinë e krimeve “kundër të huajve”. Nga këto, 506 ishin vepra të dhunshme.

– Franca

Në vitin 2020, në Francë janë regjistruar 235 raste islamofobike. Ky numër ishte 154 në vitin 2019. Ka pasur një rritje prej 14 për qind të veprimeve anti-islame dhe një rritje prej 79 për qind të kërcënimeve.

Sipas studimit të fundit të Komisionit Kombëtar Konsultativ për të Drejtat e Njeriut, krimet e kryera me motive racore janë rritur me 11 për qind në vitin 2019. Kishte një rritje me 54 për qind të akteve islamofobike.

Në hulumtimin e organizatës së quajtur “Kolektivi kundër Islamofobisë në Francë”, thuhet se islamofobia është rritur në vend në vitin 2019 dhe në këtë kontekst janë regjistruar 800 veprime. Veprimet islamofobike janë rritur me 77 për qind brenda dy viteve deri më 2020.

U raportua se organizata nuk mund të publikonte të dhëna për vitin 2020 pasi u shënjestrua dhe mbyll nga qeveria.

– Belgjika dhe Holanda

Sipas statistikave të publikuara në vitin 2020 në Belgjikë, 90,6 për qind e rasteve të regjistruara islamofobike që kanë të bëjnë me individë janë kryer kundër grave në vitin pararendës. Kjo shifër paraqet rritje krahasuar me vitin 2018, kur 75 për qind e të gjitha viktimave ishin gra.

26,3 për qind e rasteve islamofobike kishin të bënin me punësimin. 48 për qind e rasteve islamofobike janë regjistruar në kryeqytetin Bruksel, 23 për qind në Valoni dhe 4 për qind në Flanders.

Sipas raporteve në Holandë, njerëzit me prejardhje migrimi, kryesisht turq dhe marokenë, dhe muslimanë, përballen me diskriminim relativisht të lartë.

Thuhet se këta njerëz ndihen shumë të stigmatizuar, të diskriminuar dhe të përjashtuar, deri në atë masë që tërhiqen nga shoqëria, humbasin besimin në institucione ose thjesht heqin dorë kur bëhet fjalë për arsimimin apo gjetjen e një pune.

– Skandinavia

Statistikat tregojnë se gratë muslimane përjetojnë diskriminim në pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore në Danimarkë. Gjetjet tregojnë se gratë muslimane që mbajnë hixhab duhet të bëjnë 60 për qind më shumë aplikime për punë sesa gratë e bardha daneze.

Gjithashtu, gratë e pakicave etnike duhet të bëjnë 18 për qind më shumë aplikime për punë sesa gratë e bardha daneze.

Krimet e urrejtjes në Finlandë janë ulur me 1,2 për qind, në 899 raste, në vitin 2019.

Një vit më parë, ky numër ishte 910 raste. Nga ana tjetër, numri i rasteve të shqetësimeve në bazë etnike është rritur në 105 nga 34. Si në vitet e kaluara, shumica e viktimave në këto incidente ishin muslimanë.

72 për qind e krimeve të urrejtjes të regjistruara në Finlandë kanë qenë të lidhura me përkatësinë etnike të viktimave dhe 14 për qind me prejardhjen e tyre fetare. Somalezët, irakianët dhe turqit kanë vuajtur më së shumti nga këto sulme, përkatësisht.

– Spanjë

Në vitin 2019, krimet e urrejtjes janë rritur me 6,8 për qind krahasuar me një vit më parë në Spanjë.

Gjithsej 1.706 ankesa janë bërë për krimet e urrejtjes. Nga këto, 66 ishin të lidhura me fenë dhe 515 me racizmin dhe ksenofobinë. Nuk ka statistika të veçanta për paragjykimet anti-muslimane.

– Britania dhe Irlanda

Në vazhdën e karantinës së parë në Mbretërinë e Bashkuar, krimet e urrejtjes në baza fetare janë rritur me më shumë se një të tretën në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Muslimanët dhe familjet e tyre kanë katër herë më shumë gjasa të përjetojnë krim të urrejtjes sesa të krishterët.

Sipas organizatës “Hope Not Hate”, mbi gjysma e anëtarëve të Partisë Konservatore në pushtet mendojnë për Islamin në terma negativë ose shumë negativë dhe gati gjysma e konsiderojnë Islamin si kërcënim për shoqërinë britanike.

Në vitin 2019, muslimanët përjetuan 14 për qind të rasteve të raportuara të krimit, 14 për qind të rasteve të diskriminimit dhe gjithashtu u vunë në shënjestër të gjuhës së urrejtjes në 45 raste të raportuara në Irlandë.

– Lituania dhe Polonia

Në vitin 2020, në Lituani janë regjistruar gjithsej 47 vepra penale kundër të drejtave të barabarta dhe lirisë së ndërgjegjes.

Në Poloni, në të njëjtin vit, 557 procedura për krimet e urrejtjes janë hapur nga policia. Në 14 nga incidentet, në shënjestër kanë qenë muslimanët. Në 44 raste, etnia e synuar mund të ketë qenë e lidhur me Islamin, si arabët dhe turqit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA