Sena, lumi që përshkon Parisin u shpall “i vdekur biologjikisht” në vitet 1960 për shkak të ndotjes së prodhuar nga industria dhe bujqësia në zonat e rajoneve ku rrjedh.
Si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes së ujit, noti në të ka qenë i ndaluar që nga viti 1923, por gjatë dekadave të fundit pushteti lokal ka investuar shuma të mëdha parash me qëllim pastrimin e tij. Administrata aktuale ka një qëllim shumë ambicioz: pastrimin e lumit Sena, që në vitin 2024 të jetë bërë i përshtatshëm për të notuar. Në këtë vit në Paris do të zhvillohen Lojërat Olimpike Verore.
Komiteti organizativ Paris 2024, njoftoi së fundmi se Sena do të jetë në qendër të të gjithë eventit, duke filluar me ceremoninë e hapjes së Lojërave.
Në fakt, pritet që ceremonia të mos zhvillohet në një stadium, si zakonisht, por përgjatë lumit me një shtrirje prej rreth 6 kilometrash, që fillon nga ura e Austerlitz-it deri në Kullën Eifel.
Sipas planit, në mbrëmjen e 26 korrikut 2024, 160 varka me më shumë se 10 mijë atletë nga e gjithë bota do të kalojnë pranë katedrales Notre Dame dhe muzeut të Luvrit, duke përshëndetur 600 mijë spektatorët që do shohin paradën nga pika të ndryshme buzë lumit.
Organizatorët synojnë gjithashtu që garat olimpike të notit në ujëra të hapura dhe triatlon- që përfshin notin, çiklizmin dhe vrapimin- do të zhvillohen pikërisht në Senë, siç ndodhi edhe në Olimpiadën Parisiane në vitin 1900. Ideja është që pas përfundimit të Lojërave disa pjesë të lumit të jenë edhe njëherë tjetër të përshtatshme për not.
Në vitin 1990, kryetari i atëhershëm i Parisit, Zhak Shirak, tha në televizion se pas disa vitesh që lumi u konsiderua i vdekur biologjikisht, 25 lloje të ndryshme peshqish janë gjetur në Senë. Shirak, i cili kishte qenë më parë kryeministër dhe më vonë edhe President, shtoi se për tre vite do të lahej në lumë “para dëshmitarëve” për të dëshmuar edhe njëherë tjetër se Sena ishte shndërruar në një lumë të vërtetë.
Fjalët e tij në atë kohë u pritën nga publiku i programit me një nënqeshje, por ideja për ta bërë Senën të përshtatshëm për të notuar vazhdoi të merrej në konsideratë edhe nga administratat pasuese.
Top Channel