Ndërsa varianti Omicron i koronavirusit është bërë tashmë dominues në të gjithë vendin, autoritetet greke kanë raportuar përsëri shpërthim të infektimeve ditore me 35580 raste në 24 orët e fundit, prej të cilave gati 16000 në prefekturën e Athinës, 4000 në Selanik, rreth 2.000 në Thessali dhe 1.500 në Kretë.
Është rekordi i tretë radhazi me infeksione të cilat janë katërfishuar prej fillimit të kësaj jave dhe specialistët paralajmërojnë se ky trend do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, ndërkohë që mosha mesatare e të infektuarëve është vetëm 37-vjeç.
Gjithashtu janë regjistruar 72 humbje jete, në total prej fillimit të pandemisë 20.708, ndërsa 636 janë të intubuarit, prej të cilëve 85% janë të pavaksinuar. Grekët nga ana e tyre kanë pritur me reagime të ndryshme masat shtesë që ka marrë qeveria të cilat filluan prej mëngjesit të se enjtes.
“Siç e kuptoni kur ne reduktojmë orët e punës, atëherë reduktojmë edhe rrogat. Një kafene mbështet familjet, mbështet njerëzit dhe ne si pronarë duhet të kërkojmë durim nga stafi ynë deri sa të rikthehet normaliteti. Por siç e kuptoni, durimi nuk ua paguan qiratë njer137zve dhe nuk i mban gjallë familjet”- tha një pronar kafeneje.
Vetëm mbrëmjen e vitit të ri lokalet do të mbyllen në orën 2 të mëngjesit kurse ditët e tjera baret, klubet e natës dhe restorantet do të mbyllen në mesnatë, pa klientë në këmbë dhe pa muzikë. Gjithashtu të pavaksinuarit nuk do të lejohet të shkojnë as në ambientet e jashtme të restoranteve e lokaleve.
Sipas mjekëve në Greqi koha e shërimit të rasteve me Omikron është më e shkurtër dhe shumica e rasteve janë me simptoma të lehta si të një gripi të zakonshëm. Por siç theksojnë ata rrezikun më të madh e kanë të pavaksinuarit mbi 60 vjeç që në Greqi janë mbi 380.000 persona.
Ndërkohë në spitalin Papanikolau të Selanikut është regjistruar vetëvrasja e katërt në Greqi e një pacienti me koronavirus i cili i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë.
Top Channel