Kancelari Olaf Scholz: Duhet të jemi më të shpejtë se virusi!

31/12/2021 20:45

Duhet të jemi më të shpejtë se virusi, thotë kancelari gjerman me rastin e Vitit të Ri. Ai e quan vitin 2022 si fillimin e një dekade të re neutrale ndaj klimës dhe për një botë të drejtë.

Në fjalën e tij  me rastin e Vitit të Ri, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri fillimisht në dukje faktin se kalimi i qetë dhe madje pothuajse miqësor nga qeveria e vjetër federale në të renë, është përshëndetur në të gjithë botën. Kjo sipas tij “është një shenjë e mirë e forcës së shoqërisë sonë.”

Kancelari tha se “Viti 2021 ishte shumë sfidues për të gjithë ne. Pandemia e koronës me ngarkesat dhe kufizimet e saj të thella vazhdon të na mundojë të gjithëve. Dhe askush nuk do t’i harrojë përmbytjet shkatërruese në Nordrhein-Westphalia, Bavari dhe Rheinland-Pfalz.”

Sipas Olaf Scholz sado të keqia ishin që të dyja këto ngjarje, Gjermania si shoqëri u përball me vendosmëri me këto sfida.

“Pas përmbytjes të gjithë së bashku ndihmuam, pastruam dhe filluam rindërtimin. Dhe ne do ta kemi të bëjmë me këtë për një kohë të gjatë”, tha Scholz.

Edhe në luftën kundër pandemisë në Gjermani janë vaksinuar tani më shumë se 60 milionë vetë  – dhe numri po rritet çdo ditë. “Disa ankohen këto ditë se shoqëria jonë është e “përçarë”. Unë dua të them me gjithë qartësinë e mundshme se e kundërta është e vërteta! Vendi ynë qëndron së bashku. Ajo që unë perceptoj kudo është një solidaritet i madh, një gatishmëri e madhe për të ndihmuar, një bashkim forcash.”

Kancelari shprehu falënderimet e tij për të gjithë ata që punojnë çdo ditë për mirëqenien tonë. Për shëndetin tonë dhe për sigurinë tonë – brenda dhe jashtë vendit. Në spitale, në stacionet e infermierisë, në zyrat e mjekut ose në qendrat e vaksinimit, në komisariatet e policisë dhe në forcat e armatosura.

Scholz: Duhet të jemi më të shpejtë se virusi!

Olaf Scholz, shprehu keqardhjen që edhe pas 21 muajsh pandemia nuk ka mbaruar. Dhe sqaroi që ndalimi i festimeve të ndryshimit të viteve dhe i fishekzareve u bë në mënyrë që virusi të mos përhapet më tej. Që të mos bëjmë presion shtesë ndja spitaleve dhe që të mbështesim punën e infermierëve, dhe të mjekëve, që edhe natën e shkëmbimit të viteve janë në shërbim.

Lidhur me vazhdimin e pandemisë dhe përhapjen e variantit Omikron Kancelari tha: “Ju premtoj se do të përgjigjemi shpejt dhe me vendosmëri.” dhe se është “shumë i lumtur që mund të mbështetet tek këshillat e ekspertëve të pavarur.”

Kancelari Scholz u kërkoi që të gjithë t’i marrin kufizimet shumë seriozisht, “për të mbrojtur veten, për të mbrojtur familjet tuaja. Për të na mbrojtur të gjithë ne.”

Scholzi tha: “Ne e dimë se ata që ende nuk janë vaksinuar janë veçanërisht të rrezikuar të infektohen dhe të vuajnë nga sëmundja për një periudhë të gjatë dhe serioze.

Prandaj ju bëj thirrje edhe një herë: vaksinohuni! Ne duhet të jemi më të shpejtë se virusi!”

Dekadë fillimesh të reja

Si detyrë tjetër të madhe krahas luftimit të pandemisë, kancelari përmendi “vendosjen e themeleve që vendi ynë të vazhdojë të përparojë”. Për këtë tha ai qeveria i ka vendosur vetes synime ambicioze: Gjermania mbrenda më pak se 25 vjetësh duhet të jetë neutrale ndaj klimës. Për ta bërë këtë, tha kancelari ne do të bëjmë ristrukturimin më të madh të ekonomisë sonë që prej më shumë se 100 vjetësh.

Brenda kësaj periudhe tha Scholz “ne do të jemi të pavarur nga qymyri, nafta dhe gazi. Dhe në të njëjtën kohë do të prodhojmë të paktën dy herë më shumë energji elektrike se sot nga era, dielli dhe energjitë e tjera të rinovueshme. Një detyrë gjigante!”

“Që t’i përballojmë këto, ne do të bëjmë investime masive në rrjete të reja energjetike, në stacione karikimi për makinat elektrike, në turbina ere, në shina dhe shumë më tepër. Kjo do të krijojë mirëqenie të re dhe vende të mira pune.” – tha Scholz.

Shtatë shtete demokratike të forta ekonomikisht 

Duke filluar nga 1 janari, Gjermania merr për një vit presidencën e grupit të G7. Në këtë kuadër Scholz tha se “përparimin për një botë më të mirë – asnjë vend nuk mund ta arrijë i vetëm. Kjo mund të arrihet vetëm nëse bashkësia ndërkombëtare punon për këtë së bashku.”

Scholz tha se Gjermania do ta përdorë presidencën e G7 që ky grup shtetesh demokratike të forta ekonomikisht të bëhet pionier për një biznes neutral ndaj klimës dhe një botë të drejtë.

Në përfundim të fjalës së tij Scholz tha: Jemi në fillim të një dekade të re. Po nisim në një epokë të re. Një epokë që do të jetë e mirë nëse e bashkëpunojmë në mënyrë aktive dhe e marrim me vendosmëri fatin tonë në duart tona!

Ju uroj gjithë të mirat për Vitin e Ri. Sidomos shëndet. Dëshira ime e madhe për vitin 2022: uniteti, le të qëndrojmë të bashkuar!/DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA