Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz bëri thirrje për “unitet” në vitin e ri dhe tha se urimi më i madh është që shoqëria të qëndrojë së bashku.
Në mesazhin e tij për vitin e ri që do të publikohet këtë mbrëmje në televizion, Scholz vuri në dukje pandeminë e COVID-19 dhe fatkeqësinë e përmbytjeve që ndodhi në Gjermani në muajin korrik ndërsa theksoi se viti 2021 ka qenë i vështirë për të gjithë.
Ai rikujtoi se disa njerëz janë ankuar për “përçarjen” e shoqërisë. “Këtu dua ta shpreh me qartësi të plotë. Që e vërteta është e kundërta e plotë e kësaj. Vendi ynë qëndron i bashkuar. Ajo që kam vërejtur në çdo vend është një solidarizim i madh”, tha Scholz.
Duke bërë të ditur se ka mendime dhe vlerësime të ndryshme për COVID-19, Scholz tha se “Kjo shpeshherë është e lodhshme. Një shoqëri e fortë mund t‘i përballojë këto kontradikta nëse dëgjojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin”.
Ai potencoi se pandemia nuk ka mbaruar dhe se një variant i ri po përhapet me shpejtësi. Scholz u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat kundër COVID-19 dhe të vaksinohen.
“Ju bëj thirrje edhe njëherë, vaksinohuni. E di që disa njerëz e kanë me mëdyshje. Kanë shqetësim se vaksinat mund të kenë rezultate negative. Aktualisht janë vaksinuar rreth 4 miliardë njerëz në botë. Pa pasur efekte anësore. Shumë njerëz të vaksinuar janë bërë prindër të fëmijëve të shëndetshëm. Me të vërtetë dobitë e vaksinës janë të mëdha. Kryesisht varianti i ri i virusit duhet të jetë një faktor përcaktues për vaksinim. Kjo është rruga e daljes nga pandemia”, tha Scholz.
Duke bërë të ditur se vaksinimi mbron njerëzit nga rrjedha e rëndë e sëmundjes, Scholz tha se “Duhet të jemi më të shpejtë se virusi”.
Sipas tij, qeveria e re në Gjermani ka vendosur objektiva pretendues për të siguruar që vendi të përparojë në një mënyrë të mirë.
Scholz iu referua objektivave për mbrojtjen e klimës dhe shpjegoi se brenda 25 viteve do ta bëjnë Gjermaninë të pavarur nga qymyri, nafta, gazi dhe se në të njëjtën kohë synojnë që në krahasim me sot të prodhojnë dy herë më shumë elektricitet nga burimet e erës, diellit dhe energjive të tjera të rinovueshme.
Kancelari gjerman shpjegoi se për këtë çështje do të bëhen investime dhe se kjo në të njëjtën kohë do të sjellë mirëqenie dhe punësim. “Kur jemi bashkë si shoqëri, mund të kapërcejmë ndryshimet e mëdha të kohës së bashku”, tha ai.
Duke rikujtuar se Gjermania do të kryesojë G7 në vitin 2022, Scholz theksoi se Gjermania do të bëjë përpjekje të udhëheqë vendet e G7 për mbrojtjen e klimës dhe në çështjet për një botë të drejtë.
Ai nënvizoi se do të punojnë që Bashkimi Evropian të jetë i suksesshëm dhe se objektivat këtu janë një Evropë sovrane dhe e fortë. Scholz vlerësoi se “Bashkëpunimi Transatlantik është i domosdoshëm për sigurinë e Evropës”.
Në urimin e tij për vitin e ri Scholz i uroi popullit mirësi dhe shëndet. “Urimi im më i madh për 2022 është të qëndrojmë së bashku”, tha kancelari gjerman./AA/
Top Channel