Kryeministri Edi Rama këtë të premte ka vizituar qytetin e Durrësit për të parë nga afër nisjen e punimeve për pastrimin e zonës ku do të realizohet faza e parë e ndërtimit të Portit të Ri Turistik të qytetit, ku ka folur nga afër me investitorin kryesor të këtij projekti.
Rama shoqërohej në këtë takim edhe nga ministrja Belinda Balluku, e cila e ka informuar në lidhje me ecurinë e këtij projekti.
“Me drejtuesin e kompanisë globale Emaar Group, Mohamed El Alabbar, në kuadrin e përgatitjeve për pastrimin e zonës ku do të realizohet Faza 1 e ndërtimit të Portit të Ri Turistik të Durrësit, ndërkohë që investitori do të angazhojë një financim të konsiderueshëm për pastrimin e ujit të detit përgjatë plazhit të ri që do të krijohet në zonën e Fazës 1”, shkruan Rama në Facebook.
Porti turistik i Durrësit do të ketë një terminal modern pasagjerësh dhe ndërtesa të reja përgjatë tij, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie.
Porti tregtar do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos, duke i dhënë kështu fund problemeve me ndotjen që ka pasur deri më sot qyteti.
Mohamed El Alabbar tha se ky port do të jetë më i madhi në Mesdhe, duke u shndërruar në një destinacion turistik mjaft interesant për vendin.
El Alabbar: Kjo është hapësira jonë, ky është projekti që e kemi sjellë në jetë. Ne po mendojmë këtu për një portë shumë të bukur këtu ndërkohë që njerëzit futen.
Rama: Ka shumë kohë punë për t’u bërë për pastrimin?
El Alabbar: Për pastrimin kemi dy konsulentë një amerikan dhe një nga Dubai, të cilët po punojnë për aspektin mjedisor. Ata futen deri në det, pasi ka shumë gjëra për t’u pastruar. Kjo është faza e parë dhe përgatitjet janë ende në vijim.
Rama: Do të jetë shumë e rëndësishme të kemi një treg peshku si në Barcelonë apo në qytete të tjera që kanë peshkimin.
El Alabbar: Është një nga atraksionet më të mëdha sot, të jetosh dhe të kesh restorantet aty ku ti e sjell produktin nga deti në kuzhinë. Do ta mbajmë terminalin do ta lëvizim në këtë hapësirë dhe të krijojmë një infrastrukturë për ta lidhur me qytetin dhe hekurudhën.
Rama: Këtu mendoj se duhet vendosur edhe një hapësirë këmbësorësh.
El Alabbar: Do projektojmë tregun e peshkut këtu dhe jam
Rama: Do të ishte mirë një hapësirë për këmbësorët këtu. Treg peshku, restorante peshku diçka shumë e thjeshtë por që do të ishte fantastike.
El Alabbar: Kjo do jetë diçka shumë speciale dhe mendoj se do jetë një nga projektet më të mira në Mesdhe.
Kompania e Emirateve të Bashkuara, Emar, synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë Euro për ngritjen e infrastrukturës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë.
Top Channel