Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka kërkuar nga homologu i tij rus, Vladimir Putin që t’i zbus tensionet, në një thirrje telefonike të enjten (30 dhjetor).
Kjo thirrje u bë në mesin e tensioneve afër kufirit të Ukrainës dhe Rusisë.
Gjatë thirrjes që zgjati 50 minuta, liderët patën një shkëmbim serioz për të vendosur bazën për bisedime në fillim të muajit të ardhshëm.
Kështu tha një zyrtar nga administrata e Biden, i cili foli nën kushte anonimiteti për shkak të çështjeve të ndjeshme diplomatike.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen më 9 dhe 10 janar në Gjenevë të Zvicrës për të diskutuar mbi kontrollin e armëve dhe rritjen e tensioneve mbi Ukrainën në kuadër të dialogut të tyre dypalësh të Stabilitetit Strategjik.
Më pas, një takim i veçantë i Këshillit Rusi-NATO do të mbahet në Bruksel më 12 janar, pasuar një ditë më pas me një takim në Vjenë në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, aleatët e saj evropianë, Ukraina dhe Rusia.
“Biden e pa këtë thirrje si vendosje të themeleve për… diplomaci pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve” në takimet e ardhshme, tha zyrtari i lartë amerikan.
Rusia në fillim të këtij muaji parashtroi kërkesa gjithëpërfshirëse për garanci sigurie nga NATO, ndërsa grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin e saj me Ukrainën, duke shkaktuar frikën e një pushtimi dhe një stuhi diplomacie, duke përfshirë një tjetër thirrje midis dy liderëve më 7 dhjetor.
Rusia po kërkon garanci ligjore që NATO nuk do të pranojë anëtarë të rinj që janë në kufi me Rusinë, duke përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Ajo gjithashtu dëshiron që NATO të ndalojë stërvitjet ushtarake pranë kufijve të saj dhe të reduktojë vendosjet ushtarake në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Putin javën e kaluar i bëri thirrje Perëndimit që “menjëherë” t’i japë Rusisë ato garanci. Administrata e Biden ka thënë se disa kërkesa ruse janë “të papranueshme” dhe se secili vend ka të drejtën sovrane të zgjedhë aranzhimet e veta të sigurisë. Por Uashingtoni ka sinjalizuar gjithashtu se diskutimi i disa propozimeve ruse — duke përfshirë ato për kontrollin e armëve, dekonfliktin e forcave ushtarake dhe konfliktin në Ukrainën lindore — mund të japë rezultate.
“Të dy liderët pranuan se ka të ngjarë të ketë fusha ku mund të bëjnë përparim domethënës, si dhe fusha ku marrëveshjet mund të jenë të pamundura dhe se bisedimet e ardhshme do të përcaktojnë më saktë konturet e secilës prej atyre kategorive,” tha zyrtari i lartë amerikan.
Gjatë telefonatës, Biden përsëriti gjithashtu se çdo pushtim i Ukrainës do të përballej me sanksione dërrmuese ekonomike nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj, si dhe një prani më të madhe të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Putin i tha Bidenit se çdo sanksion do të ishte një “gabim kolosal” që do të çonte në një “ndërprerje totale të marrëdhënieve” midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, tha ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Duke iu drejtuar një shqetësimi rus, Biden i tha Putinit se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të vendosin armë sulmuese në Ukrainë, tha Ushakov.
Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga viti 2014, duke përfshirë armë vdekjeprurëse për të ndihmuar forcat qeveritare të luftojnë separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore.
Në përgjithësi, Ushakov tha se Rusia ishte e kënaqur me bisedën telefonike dhe perspektivat për diplomaci të mëtejshme në fillim të vitit të ardhshëm, të cilat, sipas tij kanë në qendër garancitë që Moska dëshiron nga Perëndimi.
Grupi Eurasia, një konsulencë për rrezikun politik me bazë në SHBA, tha në një njoftim për klientët e saj që thirrja e iniciuar nga Rusia nënvizon presionin që Putin po aplikon për një fillim të shpejtë të negociatave. Megjithatë, ata paralajmëruan se bisedimet do të jenë të ngadalta dhe “përballen me pengesa të rëndësishme”.
Megjithatë, thirrja ishte një mundësi për Putinin “për të thënë ankesat e tij, për të ndikuar në serinë e takimeve dypalëshe, SHBA-Rusi dhe OSBE në javën e dytë të janarit dhe, po aq e rëndësishme, për të formësuar ciklin e lajmeve për Rusinë para Vitit të Ri për të treguar se ai i adresoi shqetësimet e Rusisë drejtpërdrejt te presidenti i SHBA-së”, tha për Radion Evropa e Lirë, Yuval Weber, një ekspert i strategjisë ushtarake dhe politike ruse.
Rusia pushtoi dhe aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe mbështet separatistët në Ukrainën lindore që luftojnë një luftë gati tetëvjeçare kundër forcave të Kievit. Bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftimeve kanë ngecur pasi Moska dhe Kievi nuk bien dakord mbi interpretimin e kornizës së nënshkruar në 2015 të njohur si Marrëveshjet e Minskut. Gjermania dhe Franca po ndërmjetësojnë këto bisedime.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se asnjë vendim në lidhje me arkitekturën e sigurisë së Evropës nuk do të merret pa marrëveshje nga Ukraina dhe aleatët evropianë.
“Ne kemi dëgjuar shumë qartë nga partneri ynë dhe vazhdimisht dëgjojmë se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ukrainën do të zgjidhen së bashku me Ukrainën”, duke përfshirë aspiratat e saj për anëtarësim në NATO, tha ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, një intervistë që do të transmetohet më 1 janar.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy përpara thirrjes së Biden me Putinin për të përsëritur “mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Departamenti i Shtetit.
Biden planifikon të flasë me Zelenskiyn menjëherë pas telefonatës me Putinin.
Weber tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO ose një aleancë ushtarake dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës “është ose shumë vite larg ose thjesht fantazi, kështu që është e lehtë për Biden të thotë se nuk do të ndodhë dhe me kënaqësi të pranohet nga pala ruse si një koncesion”.
John Herbst, ish-ambasadori i SHBA-së në Ukrainë, tha se Putin kishte kërkuar një tjetër telefonatë “për të ndërtuar mbi momentin” që ai e perceptoi nga diskutimi i tij i fundit me Biden më 7 dhjetor.
Putin “ende beson se mund të marrë një ose dy koncesione nga ne,” tha Herbst, duke thënë se edhe vet telefonata për Putinin përmban në vete një lloj koncesioni.
Herbst tha se ai nuk pret që Rusia të pushtojë Ukrainën.
“Unë mendoj se po kërkon përsëri të përdorë këtë çështje — të cilin ai e krijoi — për të parë nëse ka një zonë për të lëvizur, qoftë nga SHBA ose nga Franca në lidhje me bisedimet e Minskut ose nga Gjermania Ukraina,” tha Herbst, i cili është tani një analist në Këshillin Atlantik me bazë në Uashington.rel
Top Channel