​Biden paralajmëron Putinin: Çdo ndërhyrje ushtarake në Ukrainë do të çonte në sanksione të ashpra

31/12/2021 20:30

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden bëri thirrje për zbutjen e tensioneve me Ukrainën, gjatë telefonatës së mbrëmshme me presidentin rus Vladimir Putin.

“Ai i bëri të qartë Presidentit Putin se ShBA, aleatët dhe partnerët e tyre do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

“Çdo ndërhyrje ushtarake ruse në Ukrainë do të çonte në sanksione të ashpra ndaj Moskës dhe një zgjerim të pranisë së NATO-s në vendet e saj anëtare lindore”, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë pas bisedimeve, raporton atsh.

Tashmë Ukraina mund të llogarisë edhe ndihmë të mëtejshme, duke përfshirë forcat e saj të armatosura dhe mbrojtjen kombëtare.

Në telefonatën që zgjati një orë, Biden bëri presion edhe për një zgjidhje diplomatike dhe shprehu mbështetjen për bisedimet me NATO-n dhe OSBE-në të planifikuara për fillimin e vitit të ardhshëm.

Thirrja erdhi përpara bisedimeve në Gjenevë më 10 janar, gjatë të cilave diplomatë nga të dy vendet do të takohen për të diskutuar mbi ngërçin.

Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov tha se nëse “negociatat janë të suksesshme, ato mund të çojnë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Putin u shfaq i gatshëm të bënte lëshime ndaj kërkesave të tij për garanci të detyrueshme sigurie nga NATO, të përshkruara në një projektmarrëveshje të paraqitur dy javë më parë.

Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes, të cilën Moska e sheh si një kërcënim.

Në komentet e raportuara nga Interfax, Ushakov tha se Moska do të marrë parasysh konsideratat e ShBA-së dhe partnerëve të saj në vendet perëndimore në negociata.

Ai tha se Rusia do të insistojë ende në garanci për sigurinë e saj, dhe se Putini e ka diskutuar këtë me Biden.

ShBA akuzojnë Rusinë për një grumbullim masiv të trupave pranë Ukrainës, ndërsa Rusia akuzon Ukrainën për rritjen e pranisë së saj ushtarake në rajon.

“Të dyja vendet kanë një përgjegjësi të veçantë për stabilitetin ndërkombëtar dhe rajonal”, tha Putin, sipas një deklarate të Kremlinit./KosocaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA