Personat e infektuar me koronavirus në Spanjë do të kalojnë shtatë ditë në karantinë në vend të dhjetë ditëve të mëparshme, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, megjithëse numri i pacientëve në vend po rritet.
“Ne besojmë se është e nevojshme të ruhet një ekuilibër midis shëndetit publik, shëndetit mendor dhe rritjes ekonomike,” tha kryeministri Pedro Sánchez në një konferencë shtypi.
Qeveria në Madrid e mori vendimin pasi Shtetet e Bashkuara reduktuan karantinën në pesë ditë, raportoi televizioni publik spanjoll TVE. Në Spanjë, një vend me 47 milionë banorë, të mërkurën kishte 99,671 persona të rinj të infektuar, më së shumti që nga shpërthimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë beson megjithatë se për shkak të vaksinimit, 80 për qind e popullsisë mbi 12 vjeç nuk ka më nevojë për karantinë dhjetëditore. Të mërkurën ishin 1360 të infektuar për 100 mijë banorë, ndërsa një muaj më parë numri i tyre ishte vetëm 49.
Për të frenuar një valë të re infeksioni, qeveria shkurtoi numrin e shikuesve në ndeshjet sportive të mërkurën. Në stadiumet e futbollit, tribunat e të cilave deri më tani është lejuar të mbushen plotësisht, do të lejohet 75 për qind e kapacitetit, ndërsa në salla kapaciteti i lejuar do të jetë 50 për qind.
Nga 24 dhjetori, mbajtja e detyrueshme e maskave në rrugë dhe hapësira të tjera të hapura është rifutur në të gjithë Spanjën, si dhe në ambientet e mbyllura. Secila nga 17 provincat autonome po prezanton gjithashtu masat e veta, kështu që provincat veriore të vendit bask, Galicia dhe La Rioja mbyllën objektet e tyre të klubeve të natës këtë javë.
Top Channel