Rritet importi i kafesë për muajt janar-tetor të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të 2020.
Sipas të dhënave të Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë për periudhën janar-tetor 2021 importi i kafes është rritur rreth 9% krahësuar me 2020. Importet janë 6 % më të larta edhe se periudha para krizës. Te mallrat e akcizës rritje ka shënuar edhe importi i cigareve. Në muajt janar-tetor të këtij viti janë importuar 7% më shumë cigare se vjet, ndërsa në raport me periudhën para krizës importet janë më të ulëta.
Pavarësisht rritjes të importit të kafes tendenca e konsumit të saj shfaqet më e lartë në shtëpi sesa në lokale. Përfaqësuesi i Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja tha për Monitor se sjellja konsumatore ka ndryshuar nga pandemia e Covid 19. Sipas tij këtë vit më tepër kafe është konsumuar në shtëpi sesa në bare, pavarësisht se me nisjen e vaksinimit të popullatës pritej të ndryshonte tendenca e konsumit. “Për shkak të pandemisë sjellja konsumatore ka ndryshuar. Konsumatori ende vijon të konsumojnë më tepër kafe në shtëpi sesa në lokale. Shumë prej tyre gjithashtu nuk preferojnë të largohen nga lagja e banimit për të konsumuar kafen. Arsyeja kryesore e kësaj tendence është pamundësia financiare për të frekuentuar zona përtej lagjes ku banojnë, por edhe kufizimi i orarit të daljes”, thekson Jahja.
Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve pohon se edhe konsumi në restorante është më i ulët se vjet. Në tërësi sipas përfaqësusit të Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve aktualisht konsumi shfaqet 20-30 % më pak se vjet, ndërsa është vëne re rritje e frekuentimit të restoranteve jashtë Tiranës në këtë periudhë festash, pasi kufizimi i orarit nuk ndihet në zonat jashtë kryeqytetit.
Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit. Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël.
Pas një 2020 me ulje dhe ngritje që kaluan subjektet e shërbimit (baret, restorantet dhe klubet e natës ishin të parët që u mbyllën me shfaqjen e Covid 19 në muajin mars) konsumi në këto struktura edhe për 2021 është me rënie. Në muajin maj 2020, pas hapjes të ekonomisë deri në përfundim të verës xhiroja e tyre arriti të rikuperohej. Në periudhën vjeshtë-dimër qarkullimi te këto biznese iu rikthye sërish rënies me rreth 40% krahasuar me 2019, për shkak të tkurrjes të frekuentimit), rënia e xhiros te bizneset e shërbimit të pijeve dhe ushqimeve ka vazhduar edhe në muajt e parë të 2021 për shkak të rënies të konsumit dhe orarit të kufizimit të lëvizjeve. / Monitor
Top Channel