Italia zbut masat për rastet e kontaktit: Jo më izolim

30/12/2021 13:57

Qeveria italiane ka në plan të zbusë masat për personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit me koronavirus.

Izolimi nuk do të kërkohet për ata që kanë marrë dozën përforcuese, janë të vaksinuar me të dy dozat apo janë shëruar nga sëmundja COVID-19 më pak se 120 ditë më parë.

Ata do të duhet të paraqesin një test negativ pesë ditë pasi kanë pasur kontakt me ndonjë të infektuar. Ndërsa të pavaksinuarit, nëse kanë kontakt me ndonjë të infektuar, do të detyrohen që të hyjnë në karantinë për dhjetë ditë.

Ekzekutivi sqaroi se masat e reja do të hyjnë në fuqi pas konsultimeve me komisionerin e posaçëm për COVID-19.

Gjatë kësaj jave, Italia ka regjistruar rritje të rasteve ditore dhe të mërkurën shënoi 98,030 raste, shifër rekorde e infektimeve.

Po ashtu është rritur edhe numri i pacientëve të shtruar në spital. Qeveria ka ashpërsuar masat gjatë festave të fundvitit, duke ndaluar mbajtjen e koncerteve dhe organizimeve të tjera argëtuese dhe ka mbyllur diskotekat deri më 31 janar.

Po ashtu në Itali, mbajtja e maskës në ambiente të hapura tashmë është bërë e detyueshme. Kufizime janë vendosur edhe për udhëtarët, përfshirë dhe ata brenda Bashkimit Evropian.

Të gjithë qytetarët duhet t’i nënshtrohen testit për koronavirus përpara se të udhëtojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA