Në pamje shihet super-fabrika e re evropiane e baterive Northvolt në veri të Suedisë, që synon të konkurrojë me prodhuesit gjigantë si Tesla apo ata kinezë.
Kompania suedeze Northvolt tha se iniciativa e saj është e para e një kompanie evropiane në kontinent. Fabrika e baterive litium-ion të aparateve moderne, në rajonin Skeleftea ka nxjerrë sot produktet e saj të para, tha kompania.
“Po shënojmë një kapitull të ri në historinë industriale evropiane”, thuhej në deklaratën e kompanisë, e cila pritet të prodhojë energji për 1 milionë automjete elektrike në vit. Drejtori i kompanisë Peter Carlsson tha se rruga për të arritur deri këtu ishte e gjatë.
“Ky është vetëm fillimi. Gjatë viteve në vijim ne do të zgjerojmë kapacitetet e prodhimit për të mundësuar furnizimin në të gjithë Evropën”, shtoi ai. Tesla gjithashtu pritet të përfundojë një fabrikë të tillë në Evropë teksa rivalët aziatikë kanë kryer operacione të konsiderueshme në Poloni e Hungari.
Northvolt thotë se ka siguruar tashmë porosi prej $30 miliardë nga prodhuesit evropianë të makinave elektrike.
Top Channel