Papunësia është më e përhapur të personat me arsim profesional të mesëm se ne ato me gjimnaz.

Personat që mbarojnë arsimin profesional duhet të jenë më të integruar në tregun e punës për shkak të profilizimit më të lartë në disa zanate dhe që përmbushin me lehtë nevojat e tregut, në krahasim me personat që mbarojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm i njohur si gjimnazi.

Duke analizuar zhvillimet në tregun e punës gjatë vitit 2020 INSTAT vërejti se 35 për qind të papunëve gjatë vitit të kaluar ishin me arsim profesional, ndërkohë që vetëm 10 për qind e të papunëve ishin me gjimnaz.

Në vitin shkollor 2020-2021 ishin të regjistruar mbi 19 mijë nxënës në arsimin profesional. Formimi teknik-profesional ofrohet në rreth 53 shkolla, nga të cilat 9 janë private, kryesisht të gjitha me vendndodhje në zonat urbane. Shumica e shkollave ofrojnë dy deri në katër profile, ndërsa më shumë se një e katërta ofrojnë më shumë se tetë zgjedhje profesionale. Djemtë përbëjnë shumicën e studentëve të arsimit profesional. Sipas të dhënave zyrtare shumica e vajzave e shfrytëzojnë arsimin profesional si një rrugë drejt arsimit të lartë (mbi 79% e vajzave të diplomuara nga arsimi profesional regjistrohen në universitet, në krahasim me 39.2% të djemve), ndërsa djemtë kryesisht hyjnë në tregun e punës pas diplomimit.

Vetë arsimi profesional po orientohet nga prodhimi drejt profesioneve të shërbimit (ekonomi, menaxhim, hoteleri, turizëm, dhe TIK).

Por përveç shkollave profesionale të mesme ka edhe mbi 340 subjekte private të licencuara, 30 nga të cilat janë Qendra të Formimit Profesional që drejtohen nga shteti. Këto institucione japin certifikata që njihen, por ende nuk ekziston një sistem monitorimi për të vlerësuar standardet e formimit, që ato ofrojnë dhe cilësinë e njohurive që ato japin.

Vendet fqinjë, kur dolën nga regjimet komuniste, ruajtën modelin e arsimit profesional dhe nuk i shkatërruan fabrikat. Shqipëria, edhe 27 vite pas terapisë së shokut, vijon të zhvillohet pa një model ekonomik të orientuar, ndërsa sot e kësaj dite arsimi profesional po zhvillohet pa asnjë lidhje me tregun e punës.

Qeveria Rama e ka vënë arsimin profesional në krye të prioriteteve të sektorit arsimor, por në realitet struktura e shpërndarjes së shkollave është gati e njëjtë me atë të para viteve ‘90. Trupa mësimore nuk është e kualifikuar me nevojat e kohës, ambientet dhe laboratorët e praktikave mësimore janë krejt të vjetruara, ndërsa arsimi profesional ndiqet nga nxënësit më të dobët të ciklit nëntëvjeçar. Nota mesatare në drejtimet profesionale të elektronikës, TIK, informatikës, mekanikës zakonisht është poshtë 6-es një tregues jo pozitiv për aftësitë që tregu i punës kërkon.

Nuk do të kalojnë edhe shumë vite kur brezi i punonjësve të arsimuar para viteve 1990 do të dalë në pension dhe atëherë kambanat e alarmit do të bien në të gjithë sektorët me aftësi profesionale të drejtuara. Të arsimuarit e pas viteve 1990 nuk janë në gjendje t’u përgjigjen nevojave të kohës as në numër dhe as në cilësi. Sot, arsimi edhe në vende të zhvilluara po përballet me dilema të mëdha, pasi teknologjia po avancon me hapa më të shpejta se kurrikulat mësimore dhe modelit klasik të orëve teorike do t’i duhet përshtatje./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA