“Vendi ynë ka nevojë për një shpëtimtar, por ky nuk jam unë, është dikush shumë, shumë më lart”, ka thënë së fundmi Trump.
Ish-presidenti amerikan beson se SHBA është në “telashe të mëdha,” por përsëri tha se do të rikthehet “më i fortë se kurrë.”
Trump bëri komentet e tij në darkën ‘First Baptist of Dallas’ të dielën në një mesazh për Krishtlindje, raporton rrjeti CBS Local. Ai mori brohoritje të gjata teksa erdhi në skenë së bashku me mikun e tij Robert Jeffress, pastor i vjetër kristian.
“Siç e dini ne për momentin jemi në telashe,” tha Trump.
“Besoj se kombi ynë është në telashe. Nuk besoj se kemi pasur më parë një kohë të tillë pas asaj që ndodhi në Afganistan — diçka që u bë në mënyrë shumë të keqe. Shikoni kufijtë tanë dhe shikoni inflacionin, këto gjëra mund të shkatërrojnë vendin”.
“Ka shumë re që qëndrojnë mbi vendin tonë, re të errëta. Por jam i bindur se do të rikthehemi më të mëdhenj, më të fortë”.
Trump vazhdonte më tej: “Tani vendi ynë ka nevojë për një shpëtimtar. Dhe ky shpëtimtar nuk jam unë. Është dikush shumë më lart se unë. Shumë më lart.”
Trump uroi turmat për Krishtlindje dhe tha, “Kjo është një periudhë shumë e bukur”, duke iu referuar festës fetare kristiane.
Ai mbylli fjalimin duke thënë: “Amerika është e para. Do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe. Falemderit shumë.”
Dega e rrjetit CBS tha se Trump foli para një turme prej 4,000 besimtarësh.
Top Channel