Boris Johnson: Ata që shtrohen në spital, nuk kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës

29/12/2021 19:05

Sot, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, duke theksuar se shumica dërrmuese e pacientëve të trajtuar me covid-19 që ndodhen në kujdes intensiv, nuk janë vaksinuar me dozën përforcuese.

Kryeministri tha gjithashtu se qytetarët duhet ta festojnë Vitin e Ri me mençuri pas vendimit të tij për të mos vendosur kufizime më të rrepta për të frenuar përhapjen e variantit shumë ngjitës Omicron të koronavirusit.

“Më vjen keq që e them këtë, por shumica dërrmuese e njerëzve që përfundojnë në ICU të spitaleve tona janë njerëz që nuk kanë marrë dozën përforcuese ”, u tha kryeministri gazetarëve gjatë një vizite në një qendër vaksinimi.

”Kam folur me mjekë që thonë se numri (i atyre që nuk kanë marrë dozën e tretë) dhe janë në ICU arrin deri në 90%. “Varianti Omicron po shkakton ende probleme reale, mund të shihni se rastet po rriten në spitale, por është padyshim më i butë (varianti Omicron) sesa Delta ,” komentoi Johnson.

“Mendoj se të gjithë duhet të argëtohen në natën e ndërrimit të viteve, por në mënyrë logjike dhe të matur. Bëni një test, mendoni për ajrosjen, mendoni për të tjerët, por mbi të gjitha bëni dozën e tretë ”, tha ai.

Britania ka një numër rekord të rasteve të reja dhe 129,471 infeksione të reja u raportuan dje për shkak të variantit shumë ngjitës të virusit Omicron.

Edhe pse numri i shtrimeve ditore është rritur në 1000, ai mbetet shumë më i ulët se ai i fillimit të vitit me 4000 në janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA