Bashkia e Tiranës synon të nxisë politikat për zhvillimin e sipërmarrjeve të reja, veçanërisht në fushën e teknologjisë digjitale.
Pikërisht për të mbështetur këtë kategori kreu i bashkisë së Tiranës firmosi një marrëveshje me korporatën e Investimeve Shqiptare.
Veliaj: Kemi disa mundësi fantastike, një prej tyre është zona e lirë ekonomike në Kashar. Ne kemi marrë statusin, por në fakt kemi nevojë për ju, që të rekrutojmë klientë potencialë. Disa kanë filluar të vijnë vetë, siç janë disa data center, kompani automotive, por na duhet që të popullojmë të gjithë atë hapësirë me kompani që paguajnë më mirë, me punë që janë më të sofistikuara, që kanë një vlerë të shtuar në gjithë zinxhirin ekonomik të vendit.
Kryebashkiaku Veliaj tha se ky është një moment tepër i rëndësishem për zhvillimin ekonomik, për të parë rreth profesioneve të së ardhmes.
Veliaj: Pyetja që kemi sot është: Cila do jetë Tirana dhe Shqipëria e vitit 2050? Do jetë ajo e prindërve tanë që bënin dhe qepnin këmisha e këpucë apo bënin le të themi punë asemblimi të thjeshta, apo do bëjmë punë më sofistikuara, punë dixhitale, punë që paguhen më mirë dhe punë që mund të bëhen edhe në distancë, pa u detyruar që dikush të shkojë në Itali, Gjermani apo të kërkojë të ardhmen diku tjetër.
Top Channel