Emiliano Sufja nuk e kishte marrë ende rrogën e parë nga kompania e izraelitit që e përzgjodhi për të punuar në Call Center.
Paga prej 350 euro do t’i jepej në 15 janar, i riu jo vetëm që nuk u pagua por përfundoi në pranga me mbyllje të një hetimi që zbuloi se telefonatat e 35 të dyshuarve si Sufja kanë mashtruar dhjetëra qytetarë europianë.
Kompania ka si administrator izrealitin Rafael Ganish gjithashtu i arrestuar dhe që këmbënguli në gjykatë se ka kryer aktivitet të ligjshëm. Megjithatë kjo deklaratë nuk konsiderohet e tillë nga provat e mbledhura që qartësojnë se si operatorë junior dhe senior telefononin pambarimisht derisa fusnin në kurth të huajt për të investuar.
Nuk ka ende një evidencë se sa është numri i të rinjve të sapo diplomuarve që në mungesë të një pune angazhohen në Call Centera.
Edhe Ilea Dhimo, një e re nga Lushnja përfundoi e arrestuar, edhe pse vajza rrëfeu se kishte qene një studente e shkëlqyer infermierie por prej 2019-ës nuk gjeti dot punë.
Pikërisht për shkak se sapo kanë nisur punë për 15 prej tyre prokurori kërkoi detyrim paraqitje.
“Kushërira ime kërkoi punë s’gjeti, kishte dy gjuhë”, tha Evisa Mitro.
Hetimi thotë se janë dhjetëra Call Centera që operojnë në këtë mënyrë, por deri tani u godit vetëm një.
Top Channel