Ndërsa një pjesë e madhe përpiqen ti dekurajojnë të ikin, me pretendimin se atje shqiptarët nuk punojnë në profesionin e tyre, por përfundojnë kujdestarë pranë azileve të pleqve, vetë shoqata e Infermierëve të Shqipërisë tregon një tjetër realitet.
Elson Jaçaj, kreu i shoqatës së Infermierëve, i cili ka punuar për rreth një dekadë si infermier në repartin e kriurgjisë në QSUT, ndërsa aktualisht është në sistemin privat, thotë se arsyet janë thellësisht ekonomike si dhe me pamundësinë që një infermier të bëjë karrierë në Shqipëri.
Sipas tij shumë shpejt Shqipëria do të gjendet në kushtet ku nuk ka kush të shërbejë.
“Arsyet janë krejtësisht ekonomike. Në shqipëri pagesa nga rroga e infermierit nuk mjafton thuajse për asgjë. Është e pamundur që pas gjithë këtyre viteve investim, të mund të mbash familjen me pagën e infermierit. Dhe e dyta, infermierët në Shqipëri nuk vlerësohen” u shpreh infermieri, Elson Jaçaj.
Ai tregon se paga e një infermieri në Shqipëri, së bashku me netët roje, shkon diku tek 500 euro. Ndërkohë që tarifa e studimit për infermieri varion nga1000 – 2000 euro vit. Pa përfshirë këtu qiranë, apo librat. Me dy fëmijë të vegjël, edhe bashkëshortja e Elsonit është infermiere, por pagat e të dyve nuk mjaftojnë për të përmbushur të gjitha detyrimet, sidomos ndaj fëmijëve. Si pasojë Elsoni bën edhe një punë tjetër të dytë gjatë pasditeve.
“Një infermier në Shqipëri, merr rreth 500 euro, Unë për vetë më duhet të punoj edhe pasdite për të mbushur disi detyrimet, pasi kaq para nuk më dalin, ndaj jam i detyruar të punoj pasdite” u shpreh infermieri, Elson Jaçaj. Por a janë të kënaqur kolegët e tyre që kanë ikur në jashtë? Sipas tij paga varion nga 1600 euro-2200 euro dhe më pas fillon rritja në karrierë.
“Fakti që vazhdojnë të ikin, fakti që ne prodhojmë infermierë por kemi mungesë infermierësh tregojnë që janë të kënaqur. Ata marrin aq të ardhura për një jetë dinjitoze, ndërsa ne nuk shkojmë dot as për një fundjavë me pushime” u shpreh infermieri, Elson Jaçaj.
Top Channel