Referendumi për shkarkimin e Bashës/ Vokshi: Deri në orën 15:00 kanë votuar 34.105 demokratë. Fluks i lartë, nuk do mbyllen qendrat e votimit në 17:00

18/12/2021 16:39

34.105 demokratë kanë votuar deri në orën 15:00, në referendumin për shkarkim e kryetarit Lulzim Basha, sipas Albana Vokshit.

Vokshi dha raportimin e radhës, për procesin e votimit në të gjithë vendi, ku theksoi se shifrat janë siç i kanë dërguar komisionerët.

Në Shkodër, kanë votuar 3660 demokratë, në Lezhë 2670, në Kukës 15550, në Dibër 1529, në Tiranë 7536, në Elbasan 2796, në Berat 893, në Korçë 2655, në Fier 3415, në Gjirokastër 1288, në Vlorë 1273.

Në shumë qendra votimi, është tejkaluar numri i votuesve të datës 13 qershor për Lulzim Bashën (kur Basha u rizgjodh kryetar). Fluksi është i lartë dhe presim që të vazhdojë të jetë i lartë. Disa mbarojnë punën në pesë, do t’i presim, do t’i japim të gjithëve të drejtën e votës”, deklaroi Vokshi.

Votimi në referendumin e thirrur nga Berisha nisi sot në orën 08:00, për shkarkimin e Lulzim Bashës. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi se materialet zgjedhore janë shpërndarë dhe administruar nga të gjitha komisionet përkatëse në të 106 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin.

Top Channel