Të ardhurat totale për 11 mujorin janë realizuar në masën e 103% të planit ose 75 miliardë lekë më shumë krahasuar më një vit më parë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 11 – mujore (Janar – Nentor 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Të ardhurat totale për 11 – mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 103 % të planit të 11 – mujorit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 11 – mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 89.5 % të planit të periudhës.
Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin për 11 – mujorin e vitit 2021 rezultoi në rreth 32 miliardë lekë.
Performanca Paraprake 11-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve
Të Ardhurat
Të ardhurat totale për 11-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 458 miliardë ose 103 % të planit të 11-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 75 miliard lekë.
Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)
Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 400.4 miliardë lekë, 60.8 miliardë ose 17.9% më shumë, krahasuar me vitin 2020, si dhe 21.3 miliardë ose 5.6% më shumë se plani 11 mujor për vitin 2021.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 172.4 miliardë lekë, 35.1 miliardë lekë ose 25.6% më shumë se 11 mujori 2020, si dhe 18.9 miliardë lekë ose 12.3% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 11 mujorin e vitit 2021.
Të ardhurat nga TVSH në import për 11 mujorin rezultojnë 116.8 miliardë lekë, 26.9 miliardë lekë ose 29.9% më shumë se një vit më parë, si dhe 16.2 miliardë ose 16.1% më shumë se plani për 11 mujorin 2021.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 46.6 miliardë lekë, 6.6 miliardë lekë ose 16.6% më shumë se viti 2020, si dhe 1.9 miliardë lekë ose 4.2% më shumë se plani i akcizës për 11 mujorin 2021.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.2 miliardë lekë, 132.3% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 99.9% kundrejt planit, ose 3 milionë lekë më pak
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6.7 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 19.5% më shumë se 11 mujori 2020, si dhe 823 milionë lekë ose 14% më shumë se plani i 11 mujorit 2021.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 11-mujorin 2021 u realizuan në masën 228 miliardë lekë, 25.7 miliardë ose 12.7% më shumë se 11-mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.5 miliardë lekë, ose 1.1% më shumë se plani i 11-mujorit 2021.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 27.5 miliardë lekë, 124 milionë ose 0.5% më pak se 11-mujori 2020, si dhe 8.7 miliardë ose 24.1% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 11-mujorin 2021. Rimbursimet për periudhën 11-mujore 2021 arritën 22.3 miliardë lekë, 7.7 miliardë lekë ose 52.8% më shumë se 11-mujori 2020, si dhe 6.4 miliardë lekë ose 40.3% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 11-mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 30.7 miliardë lekë 5.9 miliardë lekë, ose 23.6% më shumë se 11-mujori 2020, si dhe 886 milionë lekë ose 3% më shumë se plani i vitit 2021 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 36.5 miliardë lekë, 2.8 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se 11-mujori 2020, si dhe 879 milion ose 2.4% më pak se plani i 11-mujorit 2021.
Taksat nacionale, për peridhën Janar-Tetor 2021 u realizuan në masën 35.8 miliardë lekë, 5.4 miliardë lekë ose 18% më shumë se 11-mujori 2020, si dhe 3.4 miliardë lekë ose 10.5% më shumë se plani i përcaktuar për 11-mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 97.5 miliardë lekë, 11.4 miliardë lekë ose 13.3% më shumë se 11-mujori 2020, si dhe realizim 108.7% të planit për 11-mujorin 2021.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën njëmbëdhjetë mujore të vitit 2021, arritën në rreth 490.1 miliard LEK me një realizim në masën 89.5 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 7.6 përqind më i lartë ose rreth 34.5 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 11 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 82.7 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 80.3 përqind të planit vjetor të ndryshuar me Aktin Normativ nr.26, datë 22.06.2021 (AN nr.26).
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 11 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 95.6 përqind dhe 53.1 përqind të planit të periudhës.
Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)
Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)
Niveli i deficitit për periudhën 11 mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 32.2 miliard LEK, ose rreth 40.7 miliard LEK më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 11 mujore niveli i deficitit rezulton 30.7 përqind e planit të periudhës prej rreth 104.76 miliard LEK. Në terma vjetor niveli i deficiti është realizuar 29.6 përqind e planit vjetor fillestar dhe 26.7 përqind e planit vjetor të ndryshuar.
Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt (në milion Lekë)
Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)
Top Channel