Një shpërthim i dyfishtë që ka tronditur sot aeroportin e qytetit kolumbian të Cucuta duke vrarë dy oficerë policie, ishte një sulm terrorist, tha presidenti i vendit Ivan Duque.
“Ne refuzojmë këtë sulm dinak terrorist që ndodhi në qytetin e Cucuta,” tha Duque në një deklaratë, ku shtohej se ushtria e policia bënin gjithçka është e mundur për gjetjen e autorëve.
Aeroporti ndërkombëtar Camilo Daza në zonën verilindore të ‘Norte de Santander u godit nga dy shpërthime mëngjesin e sotëm.
Shpërthimi i parë besohet se ndodhi aksidentalisht teksa autori po përpiqej të fuste bombën brenda aeroportit duke kapërcyer një gardh. Mjeti besohet se ka shpërthyer para kohe, duke lënë të vdekur të dyshuarin.
Një bombë e dytë shpërtheu një orë më vonë kur skuadrat e xhenierëve kishin ardhur në vendngjarje, duke vrarë dy prej oficerëve.
Në qershor, një helikopter ku udhëtonte presidenti Duque dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë kolumbianë u qëllua me armë nga sulmues të panjohur pranë aeroportit të Camilo Daza.
Mjeti ajror pësoi disa goditje por arriti të ulej pa probleme në pistën e Cucuta.
Në Norte de Santander veprojnë disa grupe guerile anti-qeveritare duke përfshirë rebelët e majtë FARC.
Top Channel