Edhe pse kanë kaluar gati 4 muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, mësuesit ende nuk kanë marr regjistrat zyrtarë nga Ministria e Arsimit, por nga ana tjetër qeveria ka sjellë një risi në shkollat shqiptare me krijimin e sistemit të menaxhimit të informacionit parauniversitar që do të shërbejë në një farë mënyre si regjistër ‘online’.
“Një sistem me bazë të dhënash që do të hidhen informacionet e shkollës: duke filluar nga mësuesit, kualifikimet e tyre, vazhdojmë me të dhënat e klasave, numrit të nxënësve, planet mësimore, kurrikulat pra çdo e dhënë që i përket një institucioni arsimor. Nëse më parë i plotësoje me dorë, tani i plotëson online”, thotë drejtoresha e shkollës Vëllazërimi “Merita Prenga”.
Teksa Drejtoria e Përgjithshme Arsimore i konfirmon Top Channel se kjo platformë virtuale nuk zëvendëson regjistrat e letrës, a ju shtohet në këtë mënyrë puna mësuesve?
“Ndoshta të gjithë në fillim thamë ngarkesë shumë e madhe. Nuk do them që nuk shtohet puna. Puna shtohet, por është më konkrete. Mësuesit janë të palodhur dhe do e gjejnë durimin. Ndoshta për moshën pak më madhor të mësuesve do kenë vështirësi të përshtaten“.
Ndërkaq arsimtarët kanë nisur trajnimet për përdorimin e sistemit I cili do të administrohet nga qendra e shërbimeve arsimore, ndërsa akses do të kenë veç specialistëve arsimore edhe dy faktorët kyç: mësuesit dhe prindërit.
Top Channel