Haiti, shpërthimi i çisternës së karburantit vret dhjetra njerëz në Cap-Haïtien (foto-video)

14/12/2021 18:12

Më shumë se 50 njerëz janë vrarë mbrëmë nga shpërthimi i një depozite karburanti në veri të Haitit, njoftuan autoritetet.

Raportimet thonin se ngjarja tragjike ndodhi pasi automjeti transportues u përfshi në një aksident, dhe viktimat ishin duke mbledhur karburantin që rridhte.

Spitalet vendase ishin të mbushura me të plagosur nga shpërthimi.

Kryeministri i vendit Ariel Henry tha se i gjithë vendi i Karaibeve ndjen dhimbje për aksidentin e rëndë dhe shpalli tre ditë zie.

Pamjet e postuara në rrjetet sociale tregonin flakët e mëdha në skenën e aksidentit, në qytetin e dytë më të madh të vendit.

Dhjetra njerëz janë plagosur dhe doktorët thanë se numri i viktimave mund të rritet akoma.

“Ne nuk kemi kapacitetin për të trajtuar të gjithë njerëzit me djegie të rënda. Kam frikë se nuk do të arrijmë t’i shpëtojmë të gjithë”, tha një infermier  në spitalin universitar Justinien për rrjetin AFP.

“Jemi të mbushur me pacientë nga shpërthimi,” tha një doktor për të përditshmen vendase Le Nouvelliste.

Qeveria njoftoi se po dërgon spitale të impovizuara në vendngjarje, për të ndihmuar të prekurit.

“Kemi nevojë për burime njerëzore dhe materiale, këto janë serume, fasho dhe çdo gjë që mund të përdoret për trajtimin e djegieve”, tha kryebashkiaku i qytetit Pierre Yvrose.

Ai shtoi se shpërthimi gjigant kishte shkaktuar flakë në rreth 20 shtëpi të zonës.

Zhvillimi vjen teksa Haiti është në mesin e një krize të rëndë ekonomike e politike e karburantesh.

Vitin e kaluar presidenti i vendit Jovenel Moise u vra në një atentat.

FOTO GALERI
1/3
Pamje nga shperthimi vrases

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA