Tiranë/ 16 shoferë të arrestuar, shkelën rregullat e qarkullimit dhe nuk iu bindën policisë

13/12/2021 12:24

Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar kontrolle intensive në të gjitha rrugët e kryeqytetit, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, jo vetëm gjatë fundjavës, por 24/7.

Kontrollet janë përqendruar në evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që bëhen pengesë duke bllokuar lëvizjen normale të automjeteve apo këmbësorëve, të atyre që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit apo nuk vendosin rripin e sigurimit, si dhe të atyre drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë me shpejtësi, kryejnë manovra të gabuara apo bëjnë gara shpejtësie duke u kthyer në burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Gjatë kontrolleve në fundjavë, nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës janë arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, dhe 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, konkretisht: S. Gj., 56 vjeç, E. A., 35 vjeç, A. K., 50 vjeç, B. S., 55 vjeç, P. M., 29 vjeç, A. H., 25 vjeç, H. C., 38 vjeç, F. P., 36 vjeç, L. Gj., 53 vjeç, B. Z., 42 vjeç, F. Xh., 42 vjeç, P. Dh., 21 vjeçe, E. T., 27 vjeç, A. Sh., 32 vjeç, A. Xh., 26 vjeç, B. G., 39 vjeç, E. T., 27 vjeç.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas disa minutash ndjekjeje, kanë vënë në pranga shtetasin A. Xh., i cili duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, ka tentuar të shmangë shërbimet e Policisë Rrugore, duke u larguar me shpejtësi të madhe në rrugët e qytetit.

Po nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. P., pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar. Pas disa minutash ndjekjeje është kapur dhe është vënë në pranga.

Nisur dhe nga shqetësimet e adresuara nga qytetarët, nëpërmjet telefonatave dhe raportimeve në aplikacionet e dedikuara për ankesat e tyre, Policia Rrugore e kryeqytetit do të vijojë, jo me aksion, por me kontrolle permanente 24/7, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë në varësi të DVP Tiranë, forcën “Shqiponja” dhe Policinë Bashkiake, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës në rrugë dhe për të siguruar lëvizjen normale të automjeteve në rrugët e kryeqytetit.

Policia Rrugore e Tiranës, duke marrë shkas nga dy episodet e fundit në qytet, ku dy drejtues mjetesh që ishin në shkelje tentuan të largoheshin duke rrezikuar jetën e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve, apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit dhe për respektim e bindje ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë, pasi shërbimet policore janë të angazhuara dhe të fokusuara për të mos toleruar asnjë person që kërkon të sfidojë ligjin dhe Policinë apo të rrezikojë jetën e qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA