SHBA në garë për gjetjen e dhjetra të humburve në qytezat e rrafshuara prej tornadove në Kentucky (fotot)

13/12/2021 17:57

Grupet amerikane të shpëtimit vijonin sot të kërkonin për dhjetra njerëz që janë ende të humbur në shtetin e Kentucky, pas 64 vdekjeve të konfirmuara nga tornadot shkatërrimtare.

Autoritetet thanë sot se të paktën 105 njerëz janë të humbur dhe shumë familje kërkojnë lajme për të dashurit e tyre.

Por guvernatori Andy Beshear tha se do të ketë të tjera vdekje të konfirmuara në ditët në vijim.

Që prej mëngjesit të të shtunës asnjë person nuk është gjetur më gjallë por përpjekjet e kërkimit kanë vijuar.

Punonjësit e emergjencave dhe rreth 300 ushtarakë të Gardës Kombëtare po kërkojnë në rrënojat e shkatërrimit për të mbijetuar, si dhe po shpërndajnë ujë e gjeneratorë për rezidentët.

Beshear tha se po përdoren qen nuhates për kërkimet në rrënoja dhe shtoi se “vijojnë të gjenden trupa viktimash në disa vendndodhje.

“Asgjë që qëndronte në linjën e kalimit të tornadove nuk është më në këmbë. Shkatërrimi është diçka që nuk kisha parë kurrë në jetën time” tha guvernatori.

Një rezident i qytezës më të goditur, Mayfield, tha se kishte rënë në gjunjë dhe nisi të lutej kur mbërritën tornadot.

“Veshët m’u shurdhuan dhe mbetjet nisën të vinin drejt meje. Gjithçka u zhduk në 30 sekonda”.

Tetë njerëz u konfirmuan të vdekur në një fabrikë qirinjsh dhe të tjerë mbeten të humbur në rrënoja.

Kyanna Parsons Perez, një punonjëse e fabrikës që ishte lutur për ndihmë në rrjetet sociale nga poshtë rrënojave, tha se shumë biznese ishin mbyllur në pritje të tornadove, prandaj as ata nuk duhet të ishin në punë.

Dje presidenti Joe Biden e përshkruante ngjarjen tragjike si “stuhitë më të mëdha” në historinë e SHBA.

Biden ka shpallur gjendjen e katastrofës në Kentucky dhe ka urdhëruar ndihmë federale për zonat e goditura.

Më parë tornado më i fuqishëm në SHBA ka udhëtuar për 220 milje në shtetin amerikan të Missouri në mars 1925, duke vrarë 695 njerëz.

FOTO GALERI
1/8
Autoritetet thanë sot se të paktën 105 njerëz janë të humbur dhe shumë familje kërkojnë lajme për të dashurit e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA