Numri i të vdekurve nga tornadot e fuqishme që shkatërruan shumë qytete në shtetin amerikan, Kentaki, mund të shkojë në mbi 100, paralajmëroi guvernatori i këtij shteti, Andy Beshear.
Deri më tani, 80 viktima janë konfirmuar vetëm në Kentaki, ndërsa 14 të tjera janë raportuar në katër shtete të tjera.
Gjashtë persona kanë vdekur në Illinois, pasi një depo e kompanisë Amazon, me rreth 100 persona brenda, është shembur. Disa vetë atje vazhdojnë të mbeten të zhdukur.
Në Tenezi janë konfirmuar katër viktima, në Arkansas dy dhe në Misuri një.
Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë duke u zbehur. Qysh të shtunën në mëngjes nuk është gjetur asnjë i mbijetuar.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beasher, tha se kjo stuhi që goditi vendin javën e kaluar, ishte më shkatërruesja në historinë e këtij shteti.
“Asgjë që qëndronte përballë tornados, nuk është më”, tha Beasher.
Presidenti amerikan, Joe Biden, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Kentaki dhe urdhëroi që zonat më të prekura të ndihmohen. Ai po ashtu nënshkroi Deklaratën federale për situata të jashtëzakonshme, duke mundësuar kështu ndihmë financiare për Kentakin.
Biden pritet të kërkojë nga Agjencia për Mbrojtje Mjedisore të hetojë se çfarë roli mund të kenë pasur ndryshmet klimatike në tornadot e fuqishme.
Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar pa pushim për të mbijetuarit, derisa për banorët lokalë po shpërndajnë ujë dhe gjeneratorë.
Më shumë se 300 anëtarë të Gardës Kombëtare janë duke shkuar nga shtëpia në shtëpi, duke pastruar zonat dhe duke kërkuar për të mbijetuar.
“Ende po shpresojmë që do të ndodhë mrekullia e do të gjejmë më shumë njerëz”, tha guvernatori Beasher gjatë vizitës që pati në qytetin Majfielld, zonën më të prekur.
Qyteti Mejfllld është përshkruar nga zyrtarët si “pika zero” dhe si qytet apokaliptik. Qyteti, sipas tyre, u godit nga rreth 30 stuhi.
“Kjo duket se do të jetë gjendja jonë normale. Dhe, efektet që po i shohim nga ndryshimet klimatike janë krizë e gjeneratës sonë”, tha Deanne Criswell nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave.
David Norseworthy, një ndërtimtar 69-vjeçar, nga qyteti Mejfilld, tha se stuhia e shkatërroi çatinë e shtëpisë së tij, ndërsa familja u strehua në një strehimore.
“Kurrë më parë nuk kishim diçka të këtillë këtu”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Derisa amerikanët po ballafaqohen me tragjedinë, ngushëllime për viktimat u shkojnë nga të gjitha vendet e botës.
Para Françesku tha se po lutet për viktimat e tornados.
Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se planifikon të udhëtojë në zonat e prekura, por vetëm kur të vlerësohet se prania e tij aty nuk do të pengojë përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Top Channel