Abuzime me tenderat/ Pas Tushes, arrestohen edhe nënkryetari i Bashkisë së Lushnjes dhe Drejtori i Prokurimeve

13/12/2021 12:30
Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe

Pas Fatos Tushes, janë arrestuar edhe nënkryetari i Bashkisë së Lushnjes dhe Drejtori i Prokurimeve për abuzime me tenderat.

Gentian Nushi dhe Leonard Sefa u arrestuan pas një hetimi disa mujor lidhur me proceduarat e ndjekura të tenderit të kanalit Bishqthem-Bitaj. Në njoftimin e saj  prokuroria  ka konstatuar se Nushi ka ndërhyrë në procedurat e përzgjedhjes së fituesve në këtë tender.

Sipas hetimeve,  rezultoi se procedurat janë kryer jo nga anëtarë të prokurimeve por nga dy shtetasit e lartpërmendur duke ndërhyrë në sistemin e prokurimeve për të njëjtin tender në muajin korrik u arrestua dhe kryetari i bashkisë Fatos Tushe së bashku me 10 nëpunës .

Nushi i cili është dhe kryetar i Partisë Socialiste në Lushnje u arrestua në zyrën e tij. Pas arrestimit prokurorët kryen dhe kontrolle në banesat e tyre.

Më 6 Korrik Fatos Tushe ra në prangat e SPAK për shpërdorim të detyrës me akuzën e abuzimit me fondet publike për një tender që kapte vlerën e 24 milionë lekëve.

Prokuroria e Posaçme, SPAK urdhëroi gjithashtu arrestimin e 4 vartësve të Tushës dhe dy biznesmenëve, ndërkohë që katër zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjes u lanë në masën e “Arrestit në shtëpi” nga gjykata.

SPAK i nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Ish-kryebashkiaku i Lushnjës ankimoi në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave që e largoi nga detyra.

Më 21 dhjetor trupa gjykuese pritet te marrë në shqyrtim padinë e  ish kryebashkiakut socialist ,  i cili  kërkon rikthimin në detyrë edhe pse prej muajsh ai ndodhet në qelitë e paraburgimit i akuzuar për korrupsion.

Tushe, një ish-deputet i Partisë Socialiste e drejtonte Bashkinë e Lushnjës prej vitit 2011.

Në 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur pas një granate të hedhur në zyrën e tij nga një ish-shofer i bashkisë.

Ai  është një ndër zyrtarët më të lartë në detyrë të arrestuar deri më tani nga SPAK dhe operacioni u komentua nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit nuk vonoi dhe pa kaluar as 24 orë firmosi shkarkimin nga detyra të të zgjedhurit të tij socialist.

NJOFTIM PËR SHTYP

Në vazhdim të hetimeve të procedimit penal nr.199 datë 22.07.2020, nga Prokuroria e Posaçme janë grumbulluar prova nëpërmjet të cilave vërtetohet tej dyshimit të arsyeshëm se: në procedurën e prokurimit publik, me fond limit 23.251.340 pa TVSH “Për rehabilitimin e kanalit ujitës U3 – 27, V-1 /1 në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë”, zhvilluar në vitin 2020, janë të përfshirë në kryerjen e veprimeve të kundërligjshme edhe nëpunës të tjerë publik të Bashkisë Lushnje.

Në këtë procedurë prokurimi, të zhvilluar nga NPP Bashkia Lushnjë, në vitin 2020, janë evidentuar shkelje ligjore, te kryera edhe nga shtetasit G. N., me detyrë N/Kryetar Bashkie dhe L. S., me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Prokurimeve/Juridike, të cilat formojnë elementët e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal.

Personat nën hetim G. N. dhe L. S. në bashkëpunim me personat e tjerë nën hetim, Kryetarin e Bashkisë F. T., drejtorin e kësaj ndërmarrje F. P., etj., kanë bërë të mundur që këtë procedurë prokurimi ta fitonte me dokumentacion firma EURO – ALB shpk, me përfaqësues B. M., duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.

Gjithashtu personat nën hetim G. N. dhe L. S. kanë kryer veprime të kundërligjshme edhe gjatë tri procedurave të tjera prokurimi, të organizuara nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike e Bashkisë Lushnje, sikurse janë:

1. “Blerje Asfaltonetoni – Marrëveshje kuadër – me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 30 muaj”;
2. “Blerje materiale elektrike – Marrëveshje kuadër – me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara- me afat 24 muaj”;
3. “Blerje betoni dhe tombino – Marrëveshje kuadër – me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 24 muaj”,

Në të gjitha këto procedura prokurimi është konstatuar se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumenteve të këtyre tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer nga personat nën hetim G. N. dhe L. S. dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së, duke kryer një procedurë fiktive, të organizuar dhe ekzekutuar nga personat nën hetim G. N. dhe L. S., dhe duke kualifikuar O.E. të paracaktuara dhe me oferta më të larta financiare.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.101 datë 11.12.2021 ka caktuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit:
• G. N., me detyrë Nën/Kryetar i Bashkisë Lushnjë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, sipas neneve 248-25, 258-25 të Kodit Penal.
• L. S., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Prokurimeve në Bashkinë Lushnjë i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, sipas neneve 248-25, 258-25 të Kodit Penal.

Sot në datën 13.12.2021, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.101 datë 11.12.2021.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit nr.483 datë 12.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA