Reshjet intensive të dy ditëve të fundit kanë krijuar disa pika të nxehta bllokimesh në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Kështu përroi i Sopotit ose i Lazaratit ka bllokuar rrugën lidhëse mes dy lagjeve duke bllokuar qarkullimin për njërën prej tyre. Dy mjete të bashkisë janë përpjekur të zhbllokojnë situatën prej disa orësh megjithatë prurjet inerte janë shumë të larta.
“ Tani aktualisht një lagje është e bllokuar sepse reshjet kanë qenë të shumta gjithë natën. Janë rreth 80 familje andej dhe situata është shumë shqetësuese sepse kemi edhe varrezat në anën tjetër”
“ Shira kanë rënë por situatë si kjo nuk kemi pasur më parë. Shiko si po ndryshon rrjedha. Edhe një shi tjetër dhe do çajë për në rrugë”
Zona të tjera të bllokuara prej reshjeve kemi rrugën drejt fshatit Zhulat, rrugën drejt Golemit e mbuluar me inerete dhe e pakalueshme, disa probleme me inertet e përroit të Çullos në lagjen Gërhot të Gjirokastrës, probleme në akset dytësore të Qestoratit, Luftinjës, Buzit, Ballabanit, malësive të Përmetit si dhe njësitë Pogon dhe Zagori.
Ndërkaq sot në mëngjes autoritetet ju kërkuar qytetarëve të mos përshkojnë aksin që çon drejt njësisë Lunxhëri për shkak të përmbytjes së aksit tek ura e Aznakut. Nën ujë është edhe një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore si edhe territore të mbjella me vreshta, pemë frutore e lajthi.
Top Channel