Dhjetra të vdekur nga tornadot e shumëfishtë në disa shtete të SHBA (fotot)

11/12/2021 18:40

Një tornado dhe një sistem stuhish të shumëfishta kanë mbjellë shkatërrim e vdekje mbrëmë në shtetet amerikane të Arkansas, Kentucky, Tennessee, Missouri e Illinois duke shkatërruar ndërtesa, duke lënë dhjetra të vrarë e të tjerë të bllokuar në rrënoja.

Guvernatori i Kentucky Andy Beshear tha se numri i viktimave mund të arrijë mbi 70 njerëz pasi tornadot e stuhitë përfshinë shumicën e tokave qendrore-perëndimore të SHBA.

“Kemi të vdekur në disa konte,” tha ai në konferecën e sotme të shtypit, duke shtuar: “Është një nga netët më të vështira në historinë e Kentucky … Jemi këtu për ju, ju duam shumë, po lutemi për ju”.

Në Tennessee, u raportuan dy vdekje nga stuhitë në zonën veriperëndimore, tha zëdhënësi i emergjencave Dean Flener.

Të paktën 20 njerëz ishin bllokuar brenda një shtëpie kujdesi për të moshuarit që u godit nga tornado spërdredhës.

Punonjësit e ndihmës zbuluan aty një person të vdekur dhe pesë të tjerë me plagë të rënda, shtuan autoritetet.

Disa punonjës ishin bllokuar pas një “shembjeje strukturore” në një magazinë të rrjetit Amazon, raportonte rrjeti  Fox 2 në Illinois.

Numri i viktimave dhe të plagosurve mund të rritet teksa përpjekjet e kërkimit e shpëtimit vazhdojnë.

Qendra kombëtare e tornadove dhe e motit ka vijuar me paralajmërimet për tornado në rajon teksa sistemet e rrezikshme atmosferike vijojnë drejt veriut.

FOTO GALERI
1/9
Dhjetra të vdekur u raportuan mbreme nga tornadot e shumëfishtë në disa shtete të SHBA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA