Maqedonia e Veriut, të premten (10 dhjetor) ka regjistruar 15 të vdekur nga COVID-19 si dhe 361 të infektuar, bazuar në testimin 4.982 mostrave. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Shkup janë regjistruar gjashtë të vdekur, nga tre të vdekur janë regjistruar në Prilep dhe Manastir, dy në Gostivar dhe një në Kumanovë.

Sa i përket të infektuarve, në Shkup janë regjistruar 166 persona ndërsa numër më të vogël ka në 27 qytete tjera.

Nga rreth 218,000 persona të diagnostikuar me COVID-19, kanë vdekur 7,710 persona ndërsa raste aktive janë 5,620, apo rreth 3,000 më pak se deri nga mesi i muajit nëntor.

Për uljen e numrit të të infektuarve dhe viktimave, flet edhe raporti i fundit i Instituti i Shëndetit Publik.

Sipas të dhënave, në periudhën 29 nëntor-5 dhjetor numri i vdekurve sillet mes 10 dhe 15 persona, për dallim nga tre muajt e fundit kur kjo shifër ishte mbi 20.

“Rastet pozitive janë të të gjitha moshave, por më të shpeshtë janë ata mbi 60 vjeç ndërsa më pak të prekur janë fëmijët deri në 9 vjeç. Edhe pse numri i pacientëve të rinj është në rënie, ka një rritje të lehtë të numrit të pacientëve të shtruar në spital” thuhet në raportin e Institutit, raporton rel.

Përkundër apeleve të institucioneve shëndetësore, në Maqedoninë e Veriut mbetet i ulët numri i qytetarëve të vaksinuar.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se me nga dy doza është vaksinuar rreth 39 për qind e popullatës, shifër kjo larg pritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila disa herë kishte paralajmëruar se deri në mesin e muajit tetor do të vaksinohej gjysma e popullatës dy milionëshe.

Nga Ministria e Shëndetësisë së fundmi kanë nisur fushatën e shpërblimit të mjekëve të cilat arrijnë të vaksinojnë mbi 70 për qind të pacientëve të tyre, apo nga 50 cent për çdo pacient. Për t’u arritur imuniteti kolektiv, sipas Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut, nevojitet vaksinimi i 80 për qind të popullatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA