Vrasja e Vilson Tafçiut në Astir, Apeli dënon me 13 vite burg Noel Dishin

09/12/2021 15:29

Gjykata e Apelit ka dënuar me mbi 13 vjet burg Noel Dishin, i akuzuar për vrasjen e Vilson Tafçiut në janar të vitit 2020 në zonën e Astirit.

Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë, por me një ndryshim. Sipas saj, për shkak të bashkimit të dënimeve dhe dhënies së një dënimi të vetëm, i pandehuri dënohet me 20 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi është ulur në 13 vjet e 4 muaj burg.

Dishi, i njohur dhe me emrat Noel Kolaveri dhe Miklovan Prifti u fajësua për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas gjykatës vrasja ka ndodhur pas një grindjeje të çastit, pasi të dy pretendonin shoqëri me të njëjtën vajzë.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ankimoi vendimin e shkallës së parë, duke e cilësuar si jo të përshtatshëm. Sipas ankimit krimi është i rëndë dhe duhet të marrë dënim më të madh.

Sipas prokurorisë shkaqet e ankimimit ishin: Noel Dishi është përsëritës dhe ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Vepra penale e vrasjes me dashje është kryer në ambient të hapur, ndërkohë që ka pasur lëvizje njerëzish.

Gjithashtu, edhe kryerja e veprës penale në ambient publik sipas prokurorisë është tregues i rrezikshmërisë së autorit të veprës penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA